Ndërtimi i murit me Meksikën, aplikojnë firma hispanike

Amerika

Ndërtimi i murit me Meksikën, aplikojnë firma hispanike

Më: 12 mars 2017 Në ora: 09:39
Kufiri SHBA- Meksikë

10% e kompanive që janë të interesuara për fazën e parë të tenderit për ndërtimin e murit të Donald Trump me Meksikën, janë biznese që zotërohen nga hispanikët.

Megjithëse firmat e ndërtimit po përballen me moralin e përfitimit nga ky projekt kontradiktor, interesi nuk mungon. 600 kompani janë regjistruar formalisht që prej 24 shkurtit, kur Departamenti i Sigurisë së Brendshme i kërkoi ndërtuesve që të dizenjojnë mure prototipë për kufirin. 

Gazeta britanike “The Guardian”, që shqyrtoi listën e kompanive, thotë se 62 prej tyre, pra një në dhjetë, janë biznese me pronarë hispanikë, kryesisht me prejardhje meksikane. Të intervistuar nga “The Guardian”, një pjesë prej tyre thonë se ndërtimi i murit është një projekt idiot, por paratë nuk kanë as emër e as krah politik, e mbi të gjitha sigurojnë që rrogat e punëtorëve të paguan. 

Ministria e Sigurisë së Brendshme nuk ka dhënë shumë detaje për murin, veçse duhet të jetë 9 metra i lartë dhe prej betoni. Ky shihet si hapi i parë për të përmbushur premtimin elektoral të Trump, megjithëse sondazhet tregojnë se 62% e amerikanëve dhe 83% e hispanikëve janë kundër murit. Ata e konsiderojnë murin veçse një shfaqje racizmi, gjithashtu edhe një mënyrë e paefektshme për të siguruar kufirin. 

Por, aty ku disa shohin racizëm dhe masë efektive, të tjerë shohin shenjën e dollarit dhe kur bëhet fjalë për një projekt prej 21 miliardë dollarësh, tundimi është tepër i madh, pavarësisht origjinës etnike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat