Ekipi i Trump mund të jetë përgjuar “rastësisht”

Amerika

Ekipi i Trump mund të jetë përgjuar “rastësisht”

Më: 23 mars 2017 Në ora: 08:24
Devin Nunes

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes tha se komunikimet e ekipit të tranzicionit të Presidentit Donald Trump, ndoshta duke përfshirë edhe vetë presidentin, mund të jenë monitoruar si pjesë e një “interceptimi rastësor”.

Zoti Nunes u tha gazetarëve se komunikimet e monitoruara nuk duket të kenë lidhje me hetimin e tanishëm të FBI-së rreth kontakteve të bashkëpunëtorëve të zotit Trump me Rusinë. Ai tha se beson që interceptimi të jetë bërë në mënyrë të ligjshme.

Shtëpia e Bardhë tha se kongresmeni Nunes do të informonte Presidentin Trump për këtë çështje.

Mbetet e paqartë nëse komunikimet e vetë zotit Trump janë monitoruar. Zoti Nunes tha se kjo ishte diçka e mundur.

Nunes tha se informacioni për ekipin e zotit Trump ishte mbledhur në muajt nëntor, dhjetor dhe janar, periudha pas zgjedhjeve, gjatë së cilës ai zhvillonte telefonata me udhëheqësit e huaj, intervistonte kandidatët për sekretarë të kabinetit dhe po fillonte të përvijonte politikat e administratës.

Nunes tha se materiali i monitoruar ishte “përhapur gjerësisht” nëpër raportet e inteligjencës.

I pyetur nëse besonte se ekipi i tranzicionit ishte përgjuar, zoti Nunes tha se çdo gjë varet nga përkufizimi i fjalës “përgjoj”.

Kongresmeni nga Kalifornia nuk tha se si ishin interceptuar komunikimet e ekipit të zotit Trump. Agjencitë amerikane të zbulimit i monitorojnë rregullisht komunikimet e zyrtarëve të huaj.

Përgjimet ndonjëherë përfshijnë emrin e ndonjë shtetasi amerikan me të cilin ka qenë duke folur i huaji. Kur kjo ndodh, analistët e zbulimit e kanë për detyrë ta fshehin ose minimizojnë emrin, me përjashtim të rasteve kur kjo është e nevojshme për të kuptuar materialin e zbulimit të përfshirë në raport.

Zoti Nunes tha se emrat e bashkëpunëtorëve të zotit Trump u deklasifikuan pas interceptimit rastësor, por ai nuk i identifikoi personat për të cilët bëhej fjalë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat