Tillerson nxjerr kabllogram për verifikim të njerëzve për vizat

Amerika

Tillerson nxjerr kabllogram për verifikim të njerëzve për vizat

Më: 25 mars 2017 Në ora: 09:46
Sekretari i Shtetit Rex Tillerso

Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar ambasadave dhe konsullatave amerikane në botë të identifikojnë grupe të caktuara që duhet t’i nënshtrohen një analize më të hollësishme kur kërkojnë vizë. Direktiva instrukton misionet diplomatike amerikane të kontrollojnë postimet e aplikantëve në median sociale, në rastet kur ata dyshohen për lidhje terroriste, apo për udhëtime që mund të kenë bërë në zona të kontrolluara nga ISIS. Direktivat që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u dërgoi ambasadave instruktojnë personelin diplomatik të krijojë grupe pune me specialistë zbulimi dhe sigurie, të cilët të hartojnë “një listë me kritere ku identifikohen grupe të popullatës në vendin ku ndodhet ambasada përkatëse”, për të cilat kërkohen kontrolle shtesë të biografisë. Edhe në rastet kur aplikanti i përmbush kushtet për të marrë vizë, në rast se ai individ është brenda kategorisë që kërkon kontroll më të imtësishëm, rasti i tij do t’i nënshtrohet analizës shtesë, ose personit mund t’i mohohet viza. Ky udhëzim është dëshmia e parë e “Vetting-ut ekstrem” të shtetasve të huaj që vijnë në Shtetet e Bashkuara, një politikë që Donald Trump premtoi gjatë fushatës se do ta vinte në zbatim. Zyrtarët e ambasadës duhet tani të analizojnë imtësisht një numër më të madh aplikantësh për të parë nëse përbëjnë rrezik për SHBA, siç del nga udhëzimet dërguar ambasadave nga 10-17 mars.

Direktiva, që fillimisht u bë e njohur nga Reuters, u kritikua nga grupe të të drejtave të njeriut dhe të tjerë, të cilët e kanë akuzuar Presidentin Trump për diskriminim kundër myslimanëve pas urdhrit për të ndaluar udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Për momentin urdhri është pezulluar nga gjykata. Dje, organizata Amnesty International i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të bëjë publike udhëzimet. “Kjo masë mund të hapë rrugën për diskriminime në baza të origjinës etnike dhe besimit fetar,” tha organizata në një letër dërguar sekretarit të shtetit. “Ajo mund të shërbejë si pretekst për të mos lejuar individë të vijnë në SHBA, bazuar në bindjet dhe deklaratat e tyre pa dhunë. Kontrollet në median sociale, si dhe kërkesa që njerëzit të dorëzojnë fjalëkalimet për median sociale në kufirin e Shteteve të Bashkuara, kanë implikime të ndjeshme në të drejtat e privacisë dhe lirisë së shprehjes,” shkruan Amnesty International. Urdhri i ri ekzekutiv që doli më 6 mars, u mohon vizat qytetarëve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditësi edhe ndalon pranimin e të gjithë refugjatëve për 120 ditë, duke filluar nga 16 marsi, për arsye që qeveria tha se kanë të bëjnë me shqetësimet për “sigurinë kombëtare”.

Përplasjet për urdhrin e Trump Urdhri i dytë i Trump për bllokimin e lëvizjes së shtetasve të 6 vendeve me përbërje me shumicë islamike solli reagime dhe ashtu i urdhri i parë u ankimua në gjykata. Por ky pezullim i dytë i këtij urdhri nuk iu prit mirë nga shtëpia e Bardhë. Administrata e Presidentit Donald Trump ka apeluar një vendim të një gjykatësi federal që bllokoi urdhrin e rishikuar për ndalimin e udhëtimit për persona nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Departamenti i Drejtë- sisë tha të premten se do ta apelonte vendimin e gjykatësit Theodore Chuang të shtetit të Merilendit në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Katërt në Virxhinia. Kjo lëvizje vjen dy ditë pasi gjykata federale në Merilend dhe një tjetër gjykatë në Havai bllokoi pjesë të urdhrit të Presidentit, me arsyetimin se ishte diskriminues ndaj myslimanëve. Ndërsa SHBA si pjesë të masave të sigurisë ka vendosur që të ndalojë udhëtime në avionë të pasagjerëve me kompiutera laptopë apo me tableta. Vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën një rregull, i cili i ndalon pasagjerët e linjave ajrore të marrin me vete pajisje të ndryshme elektronike përfshirë këtu laptopët dhe tabletat, mediat kanë arritur të zbulojnë se kjo masë është vendosur në fuqi për shkak se ekspertët zbuluan së fundmi se terroristët e Shtetit Islamik dhe të Al Kaedës, kanë mundur të gjejnë mënyra për të trafikuar lëndë shpërthyese duke i fshehur në instalacione të tilla. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat