Rusia, zgjedhjet dhe hetimi në Kongresin amerikan

Amerika

Rusia, zgjedhjet dhe hetimi në Kongresin amerikan

Më: 30 mars 2017 Në ora: 14:52
Krerët e Komisionit për Çështjet e Zbulimit në Senatin amerikan

Krerët e Komisionit për Çështjet e Zbulimit në Senatin amerikan thanë se ndërhyrja e Rusisë në demokracinë amerikane do të dalë në shesh herët a vonë. Ata i bënë komentet në prag të seancave publike, ku do të hetohet ndërhyrja në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, për të cilën akuzohet Rusia.

Në seanca do të shqyrtohet edhe ndonjë bashkëpunim i fshehtë me rusët nga ana e rrethit të brendshëm të presidentit Donald Trump.

"Hetimi do të shtrihet aty ku do ta çojnë informacionet e zbulimit,” thotë kryetari republikan i Komisionit, Richard Burr.

"Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj,” pohoi numri dy i këtij Komisioni, senatori demokrat Mark Warner.

Ishte një demonstrim uniteti pa dallime partiake për një hetim me përmasa monumentale. Bëhet fjalë për dokumente të shumta që duhen analizuar dhe njerëz që duhen intervistuar, duke përfshirë këshilltarë të zotit Trump dhe dhëndrrin e tij Jared Kushner, të cilët pranuan vullnetarisht të dëshmojnë.

"Komisioni do të zhvillojë një intervistë me zotin Kushner, pasi të kemi vendosur për datën”, tha Senatori Burr.

As kryetari republikan dhe as numri i dy demokrat i Komisionit nuk bënë të ditur ndonjë përfundim të arritur deri tani, përveç qëllimeve të Rusisë.

"Qëllimi i Vladimir Putinit është një Amerikë më e dobët: më e dobët ekonomikisht, më e dobët globalisht. Ky duhet të jetë një shqetësim për të gjithë amerikanët pavarësisht nga përkatësia partiake," thotë demokrati Mark Warner.

Deri tani, rolin kryesor në hetimet mbi Rusinë e kishte marrë Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve. Por Komisioni i anuloi seancat dëgjimore për këtë javë, pas një stuhie kritikash në drejtim të kryetarit të tij republikan, Devin Nunez, i cili e informoi personalisht presidentin Trump rreth materialeve sekrete që kishte në dispozicion, para se ato t’i ndante me Komisionin.

Meqenëse Komisioni i Dhomës nuk po gjen një gjuhë të përbashkët, Komisioni i ngjashëm i Senatit është tani në qendër të vëmendjes. Senatori Burr pranoi se ka votuar për zotin Trump nëntorin e kaluar, por tha se përkatësia partiake nuk do të ndikojë në punën e tij.

Megjithatë, një numër në rritje demokratësh thonë se e vërteta e plotë ndoshta nuk do të dalë kurrë në shesh në komisionet e Kongresit që kontrollohen nga republikanët.

"Mendoj se duhet të jemi të hapur ndaj krijimit të një komisioni të pavarur jopartiak për të hetuar se çfarë ka ndodhur. Ne nuk duhet të lejojmë që presionet ose akuzat e pabaza politike të na pengojnë për të ndjekur faktet,” tha senatori demokrat Martin Heinrich.

Shtëpia e Bardhë është ankuar për një fushatë diskreditimi kundër ekipit të presidentit, por ka pranuar nevojën që hetimet të vazhdojnë.

"Ne duam që kjo të përfundojë, po aq sa edhe disa prej jush. Por ne e kuptojmë se gjërat duhet të kalojnë nëpër një proces,” thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Ky proces mund të ketë jehonë përtej Shteteve të Bashkuara. Senatori Burr tha se Rusia është "përfshirë aktivisht" në zgjedhjet e ardhshme të Francës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat