Pas sulmit në Siri, cila është strategjia amerikane?

Amerika

Pas sulmit në Siri, cila është strategjia amerikane?

Më: 11 prill 2017 Në ora: 07:14
Pamje e bazes se bombarduar siriane

Uashingtoni po kërkon të dijë më shumë lidhur me planin e administratës së presidentit Trump për të goditur bazën ajrore në Siri, nga ku u ndërmoron sulmet kimike. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara tha gjatë një emisioni televiziv të dielën se qeveria amerikane nuk ka përjashtuar veprime të mëtejshme ushtarake ndaj forcave besnike të presidentit Bashar al-Assad, ndërsa zyrtarë të tjerë thonë se shkatërrimi i Shtetit Islamik është synimi kryesor.

A po mendon Presidenti Trump të ndryshojë regjimin në Siri? Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley thotë se Presidenti Bashar al-Assad është pengesë për zgjidhjen politike të luftës civile në Siri. Por kryediplomati amerikan, Rex Tillerson, sugjeron se largimi i Assadit do të jetë i rrezikshëm.

“Kemi parë se çfarë ndodhi kur u ndërmor ndryshimi me forcë i regjimit në Libi. Situata në Libi vazhdon të jetë shumë kaotike, dhe do të argumentoja se jeta e atij populli nuk është aq e mirë sot.”

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vepruan për të parandaluar masakrat e mëtejshëm ndaj civilëve në Siri, zoti Tillerson thotë se synimi kryesor i Amerikës nuk ka ndryshuar.

“Synimi ynë kryesor është mundja e ISIS. Goditja ishte e lidhur vetëm me aktin e tmerrshëm të përdorimit të armëve kimike kundër grave dhe fëmijëve, dhe siç tha presidenti, kundër foshnjeve.”

Ish presidenti Obama gjithashtu u përpoq të mbante fokusin në çrrënjosjen e Shtetit Islamik. Kritikët në Kongres, si senatori republikan Marco Rubio, thonë se strategjia është e gabuar.

“Ideja që do të shporrim ISIS dhe pastaj shpresa për të përdorur Assadin dhe të tjerët për të dalë me një zgjidhje – nuk do të funksionojë. Për sa kohë që Assadi do të jetë aty, do të përballemi me elementin radikal xhihadist suni.”

Presidenti Trump nuk e përmendi Sirinë në fjalimin e tij javor, por ritheksoi synimin e tij për rivendosjen e influencës amerikane në arenën botërore.

“Siguria për popullin amerikan po ashtu nënkupton rikthimin e pozitës amerikane në botë, si në çështjet ekonomike dhe ushtarake. Një Amerikë e fuqishme është në interes të mbarë botës.”

Nëse presidenti urdhëron veprime të tjera ushtarake në Siri, thirrjet për miratim nga Kongresi do të shtohen, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

“Presidenti nuk duhet të kishte goditur Sirinë pa miratimin e Kongresit, dhe faji qendron tek ne. Kemi qënë indiferentë për disa vite.Kam prezantuar një projekligj për autorizimin e përdorimit të forcës dhe nuk kam gjetur asnjë mbështetje.”

Mes njoftimeve se aeroplanët luftarakë sirianë rifilluan fluturimet nga baza e sulmuar të premten me raketa Tomahok, presidenti amerikan postoi në Twitter duke thënë se pista nuk u godit pasi ajo “mund të rregullohet me shpejtësi dhe kosto të ulët”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat