Një përfituese e programit DACA përpiqet të ndihmojë imigrantët

Amerika

Një përfituese e programit DACA përpiqet të ndihmojë imigrantët

Më: 17 prill 2017 Në ora: 07:28
ilustrim

Ata quhen “ëndërrimtarë”: të rinj të cilët kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, kur ishin fëmijë. Që nga koha kur Presidenti Donald Trump filloi mandatin, ata jetojnë të harruar. Presidenti premtoi gjatë fushatës se do ta anulonte programin e quajtur “DACA” që e mbron këtë kategori imigrantësh nga deportimi në vendin e origjinës. Por pasi filloi nga detyra, Presidenti Trump tha se programi DACA është një çështje e vështirë për të dhe ai nuk e ka përfshirë në tre urdhërat ekzekutivë që ka lëshuar për imigracionin.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros na njeh me një vajzë nga Karolina e Veriut, e cila ka përfituar nga programi, por që tani po reagon me një kurajo të veçantë ndaj pasigurisë së krijuar.

Në këtë protestë para burgut të qytetit Raleigh, ky grup njerëzish kërkon lirimin e Vicente Marcial Noyola-s. Babai i shtatë fëmijëve është arrestuar, ngaqë i kishte dhënë makinës pa liçencë. Ai është imigrant pa dokumente nga Meksika dhe tani përballet me deportimin. Veç të tjerash, ai është prindi i vetëm për fëmijët e tij.

“Më i vogli më pyet: ku ka shkuar babi dhe kur do kthehet? Mua më duhet t’i them se do kthehet shpejt dhe shtirem se gjithshka ka për të shkuar mirë,” - thotë vajza e Vicentes.

Protesta e këtij grupi të vogël njerëzish ishte shumë emocionuese, ndoshta ngaqë shanset për t’i bindur autoritetet e imigracionit janë të vogla. Por kjo gjë nuk e ndali organizatoren e protestës, Edith Galvan.

“Duam që ta ndryshojmë vendimin e marrë dhe që babai i këtyre fëmijëve të kthehet në shtëpi, tek fëmijët.”

Kjo ishte protesta e parë që udhëheq Edith Galvan, e cila e kupton mirë se çdo të thotë të jesh pa dokumente. Vetë ajo është përfituese e programit DACA.

Edith ka lindur në Meksikë dhe prindërit e sollën në Karolinën e Veriut kur ishte 6 vjeç. Ishte në klasë të tretë kur e jëma i tregoi se ajo ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Por kur mësoi për programin DACA kur ishte në shkollë të mesme, kjo e bëri të ndjente se më në fund edhe ajo mund të bëhej shtetase amerikane.

“Ishte pikërisht koha kur të gjithë moshatarët e mi po merrnin liçencën për t’i dhënë makinës, ndërsa unë nuk mund të postoja një foto timen me liçencën, diçka normale të për tjerët.”

Edith Galvan nuk ka të drejtën ligjore të marrë grant nga qeveria për të studjuar, prandaj ajo ndjek Kolegjin privat Meredith, që i ofron ndihmë financiare; babai i paguan pjesën tjetër të kostos së studimeve. Ajo vetë punon 35 orë në javë për të paguar qeranë e banesës, ushqimet dhe librat.

Edith është në vitin e parë të kolegjit, ajo studjon në degën e punës sociale.

“Kam një lloj prirjeje për të kërkuar drejtësi sociale, për të sjellë ndryshime dhe për t’i ndihmuar njerëzit, kjo është kryesisht arsyeja që vendosa të studjoj në degën e punës sociale.”

Ndërsa e ardhmja e programit DACA është e pasigurtë, Edith nuk ka frikë ta tregojë në televizion historinë e jetës së saj. Ajo gjithashtu nuk ka frikë të rrezikojë veten për të mirën e të tjerëve./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat