Al Gore: Ka shumë shanse qe SHBA-ja të mos largohet nga marrëveshja e Parisit për klimën

Amerika

Al Gore: Ka shumë shanse qe SHBA-ja të mos largohet nga marrëveshja e Parisit për klimën

Më: 22 prill 2017 Në ora: 02:31
Al Gore

Ish-zëvendës presidenti amerikan Al Gore, fitues i çmimit Nobel për Paqe, siguroi të premtën se ka shumë shanse që SHBA-ja të mos largohet nga marrëveshja e Parisit për klimën, megjithë kërcënimet e presidentit Donald Trump.

“Mendoj se ka shanse të mëdha, qartazi më shumë se 50/50, që SHBA-ja të vendosë të mos largohet nga kjo marrëveshje”, tha ish-drejtuesi i lartë amerikan, gjatë një konference të zhvilluar në Uashington, në kuadër të mbledhjeve të pranverës të FMN-së dhe të Bankës Botërore.

Autori i filmit “Një e vërtetë që shqetëson” i cili i ra këmbanës së alarmit, para dhjetë vjetësh, mbi rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike la të nënkuptohej se sfidat ekonomike mund të ndikonin në vendimin e presidentit Trump.
“Hapja e vendeve të punës në sektorin e energjisë diellore po rritet me ritme dhjetë herë më të mëdha se hapja e vendeve të reja të punës në përgjithësi”, theksoi Al Gore.

Presidenti Trump ka kritikuar shumë herë marrëveshjen e Parisit të nënshkruar në dhjetor 2015 mbi reduktimin e gazit me efekt serë duke bërë të ditur qëllimin e tij për rimëkëmbjen e industrisë së qymyrgurit në SHBA.
Ndërkohë që kreu i Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) bëri thirrje për daljen nga marrëveshja, presidenti Trump do të marrë vendimin e tij deri në fund të muajit maj.

Administrata e mëparshme amerikane u angazhua në Konferencën e Parisit se do të reduktonte emetimin e gazit me efekt serë nga 26-28 % deri në fund të vitit 2025, krahasuar me nivelin e vitit 2005.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat