Trump – një hap prapa lidhur me financimin e murit me Meksikën

Amerika

Trump – një hap prapa lidhur me financimin e murit me Meksikën

Më: 26 prill 2017 Në ora: 12:25
Donald Trump

Kërcënimi i mbylljes së qeverisë amerikane këtë fundjavë, duket se është zvogëluar mbrëmë, pasi presidenti, Donald Trump, është tërhequr nga kërkesa që Kongresi në legjislacionin e shpenzimeve ta përfshijë financimin për murin me Meksikën, i planifikuar nga ai.

Muri me Meksikën ishte njëri nga premtimet kryesore të zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore presidenciale vitin e kaluar. Ai thoshte se muri është mënyra më e mirë për t’i ndalur imigrantët ilegalë dhe drogën, që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Lideri i demokratëve në Senat, Charles Schumer, e ka mirëpritur lëvizjen e Trumpit dhe tha se disa republikanë, po ashtu, e kanë kundërshtuar murin.

“Është me të vërtetë mirë, që presidenti duket se po e largon murin nga tavolina”, tha mbrëmë Schumer në Senat.

Megjithatë, republikanët dhe demokratët ende kanë çështje të vështira për t’i zgjidhur, derisa ballafaqohen me afatin e fundit, 28 prill, kur skadon buxheti për shumë agjenci federale.

Nëse deri më 28 prill në mesnatë, nuk miratohet legjislacioni i shpenzimeve, atëherë qindra mijëra punonjës të disa agjencive federale do të mbeten përkohësisht pa punë dhe pa rroga.

Masat afatmesme të financimit, të njohura si zgjidhje të vazhdueshme, dhe periudhat e mbulimit për ditë ose javë, janë shfrytëzuar në të kaluarën për shmangie të mbylljes së qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat