SHBA: Duket se Flynn e ka shkelur ligjin duke e vizituar Rusinë

Amerika

SHBA: Duket se Flynn e ka shkelur ligjin duke e vizituar Rusinë

Më: 26 prill 2017 Në ora: 14:08
Michael Flynn

Ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, me gjasë e ka shkelur ligjin, pasi nuk ka pasur leje për pagesë për udhëtimin në Rusi në vitin 2015, kanë thënë mbrëmë liderët e Komitetit të mbikëqyrjes së Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Flynn, gjeneral i pensionuar ushtarak, i cili ishte këshilltari më i lartë i Donald Trumpit gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, ishte ulur afër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në një solemnitet në Moskë, ku e kishte mbajtur edhe një fjalim. Ky solemnitet ishte sponzorizuar nga Televizioni shtetëror rus RT, i cili e kishte paguar Flynnin 33 mijë dollarë për udhëtimin në Moskë.

“Këto para duhet të kthehen”, u tha gazetarëve në Uashington, kryesuesi i Komitetit të mbikëqyrjes, Jason Chaffetz, që është nga Partia Republikane.

“Si ish-oficer ushtarak, ju thjesht nuk mund të merrni para nga Rusia, Turqia, ose ndokush tjetër”, tha Chaffetz, dhe ka shtuar se “duket se ai i ka marrë ato të holla; kjo ishte jopërkatëse dhe ka pasoja për shkelje të ligjit”.

Mëtutje, ai ka theksuar se “gjenerali Flynn e kishte obligim dhe detyrë të kërkoj leje për marrje të parave nga qeveritë e jashtme”.

“Ne nuk na duket se kjo ishte kërkuar e as që ndonjëherë ka marrë leje”, tha Chaffetz.

Avokati i zotit Flynn ka thënë se gjenerali në pension, Michael Flynn, e kishte njoftuar agjencinë e spiunimit, para dhe pas udhëtimit, me emrin, Agjencia Mbrojtëse e Inteligjencës, të cilën e kishte udhëhequr deri në vitin 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat