Edhe ti, Barack?

Amerika

Edhe ti, Barack?

Më: 9 maj 2017 Në ora: 07:09
Barack Obama

Presidenti i SHBA, Barack Obama sapo ka marrë një vendim, i cili ka shkaktuar polemika jo vetëm mes amerikanëve, por sidomos mes komentatorëve dhe analistëve të mediave. Ai ka pranuar një çek 400 000 dollarës, nga një bankë investimesh. Deri këtu nuk ka asnjë problem, përderisa të gjithë ish presidentët e SHBA kanë marrë pagesa për të mbajtur fjalime. Por, 400 mijë dollarë, për një fjalim 1 orë, nga një president i cili e vuri në shënjestër Wall Street-in, duke u bërë hero i të majtës amerikane, nuk mund të mos ngjallte debate. Më poshtë një pjesë e opinioneve në mediat amerikane, mbi këtë vendim të Obamës.

“Oh, si kanë rënë të mëdhenjtë”, shkruante Kristin Tate në TheHill.com Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, Barak Obama e pa politikisht të dobishme që të demonizonte Wall Street-in. “Unë nuk kandidova për poste”, thoshte ai atëherë, “për të ndihmuar një bandë bankierësh të dhjamur”. Por vetëm disa muaj pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, heroi i dashur i së majtës, ka rënë dakord që të marrë një çek prej 400,000 dollarësh nga Banka e Investimeve “Cantor Fitzgerald”, për një fjalim një-orësh këtë vjeshtë – i pari i shumë fjalimeve të tilla të paguara, tregojnë ndihmësit e tij. A është ky i njëjti njeri që bëri kryqëzatë kundër pabarazisë? pyeste Jill Abramson në TheGuardian.com. Që prej largimit nga detyra, ai ka udhëtuar me “Klubin e miliarderëve” në Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Polinezinë Franceze. Tani, Barack Obama ka vendosur të plotësojë marrëveshjen stratosferike 65 milionë dollarëshe për librin e tij, me “qindarka nga Wall Street-i“. Prisnim më mirë nga ju, Barack.

Pra, ish-presidenti dëshiron të bëjë ca para, shkruante Issac Bailey në The Charlotte Observer. Mos harroni, Obama “shmangu pasurimin si redaktori i parë me ngjyrë i ‘Harvard Law Review”, dhe zgjodhi t’i përkushtohej shërbimit publik. Tani, si qytetar privat, ai ka çdo të drejtë për të fituar të ardhura nga talentet e tij të konsiderueshme. As pranimi i tarifës së përfolur nga Wall Street “nuk e kompromenton në thelb integritetin e tij”, shkruante Daniel Gross në Slate.com. Ndryshe nga Hillary Clinton, e cila mbajti fjalime fitimprurëse në Goldman Sachs para se të kandidonte për presidente, Obama ka mbaruar punë me politikën elektorale, dhe nuk mund t’i japë favore “Cantor Fitzgerald”. Dhe si president, Obama nuk ishte shumë komod me Wall Street-in, duke firmosur “legjislacionin më të gjerë të reformës financiare, që nga Marrëveshja e Re”. Një fjalim i paguar ose dy nuk duhet të “helmojnë në mënyrë të pariparueshme” atë trashëgimi të admirueshme.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me trashëgiminë e Obamës, shkruante Josh Barro në Business Insider. Lëvizja politike që ai udhëhoqi është në telashe. Një sondazh i fundit i Washington Post-ABC News ka nxjerrë se 67% e amerikanëve besojnë që Partia Demokratike “ka humbur kontaktin me shqetësimet e shumicës së amerikanëve”.

Donald Trumpi është president kryesisht për shkak se demokratët janë bërë një parti elitash bregdetare të pasura, që merren vetëm me veten e tyre. Kështu që, nëse Obamës i bëhet vërtetë vonë për vlerat progresiste, ai duhet të bëjë një sakrificë personale dhe të heqë dorë nga këto pagesa, sidomos prej Wall Street-it. Siç e ka thënë ai vetë një herë: “Unë mendoj se vjen një moment kur ke bërë mjaftueshëm para”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat