Uashingtoni nën presion për marrëveshjen për klimën

Amerika

Uashingtoni nën presion për marrëveshjen për klimën

Më: 10 maj 2017 Në ora: 22:34
SHBA

Ndaj administratës amerikane po shtohet trysnia për të mbetur e angazhuar ndaj marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, një ish shef i Kombeve të Bashkuara dhe ish presidenti amerikan Barack Obama u janë bashkuar thirrjeve që theksojnë nevojën për veprim për reduktimin e ndotjeve që shkaktojnë efektin serë në shkallë botërore. Presidenti Donald Trump është zotuar të tërheqë vendin nga marrëveshja e arritur mes 195 vendeve në Paris në vitin 2015, duke thënë se dëmton ekonominë amerikane dhe industrinë e qymyrit. Por të martën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti po shtyn vendimin për herë të dytë lidhur me marrëveshjen për klimën.

Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë ndotësit më të mëdhenj të botës. Braktisja nga Uashingtoni e marrëveshjen për klimën do të ngadalësonte ndjeshëm përparimet drejt reduktimit të ngrohjes globale. Shefja e politikës së jashtëme të BE, Federica Mogherini, theksoi pikërisht këtë të martën në OKB.

“Gjithçka është e ndërlidhur. Ndaj presim që Shtetet e Bashkuara të gjëjnë mënyrën për të mbetur të angazhuar ndaj marrëveshjes së Parisit. E di që ka një debat dhe e respektoj këtë, por 195 vende kanë nënshkruar një marrëveshje për ndryshimet klimatike dhe do të ketë 195 mënyra të ndryshme për arritjen e synimeve të Parisit dhe respektimin e marrëveshjes. Jam e sigurtë që Uashingtoni do të gjejë mënyrën e vet.”

Në të kaluarën, zoti Trump ka përsëritur se nuk ka prova për ngrohjen globale. Por Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se presidenti ka shtyrë përsëri vendimin në pritje të diskutimeve të mëtejshme me ekspertët.

“Presidenti ka kohë që takohet me ekipin e tij për këtë çështje dhe nuk do të njoftojë ndonjë vendim deri sa të kthehet nga takimi i G-7”, u shpreh për gazetarët zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer.

Ish presidenti Barack Obama ka qënë një mbështetës i zjarrtë i mbrojtjes së mjedisit. Në një forum në Milano të martën, ai shprehu besim se Shtetet e Bashkuara përfundimisht do të ecin në drejtimin e duhur.

“E mira është se si rezultat i punës që kemi bërë gjatë tetë viteve të kaluara, sektori privat ka ndërmarrë vendimin se energjia e pastër është e ardhmja. Tashmë po bëhen investime në energji të pastër.”

Ish shefi i OKB-së Kofi Annan tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se vendimi i Uashingtonit nuk do të ndikojë në përpjekjet afat gjata ndërkombëtare.

“Edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nesër, kam bindjen se do të rikthehen pas katër vitesh apo më pas. Komuniteti i biznesit dhe sektori privat është i vendosur dhe i dinë implikimet.”

Qendrimi i presidentit për ndryshimet klimatike ka nxitur një seri protestash nga aktivistët e mjedisit, shkencëtarët dhe qytetarët e zakonshëm./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat