SHBA, Banorët në kufi përballë planeve për mur

Amerika

SHBA, Banorët në kufi përballë planeve për mur

Më: 15 maj 2017 Në ora: 05:31
ilustrim

Ndërsa Presidenti Trump vazhdon përpjekjet për sigurimin e fondeve për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka përacktuar disa zona “të përparësisë së lartë”, përfshirë Luginën Rio Grande në Teksas. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ramon Taylor, pronarët e tokave në atë zonë, e dinë mirë të drejtën e qeverisë për të blerë territore private për përdorim publik në emër të “sigurisë kombëtare”, dhe po bëhen gati të reagojnë.

Pamela Taylor ka banuar në të njëjtën shtëpi në Teksasin e Jugut që nga viti 1948, në një copë toke në pronësinë e saj pranë kufirit me Meksikën. Ajo nuk ka ndërmend të pranojë të heqë dorë prej saj, por mund të jetë e detyruar nëse muri i propozuar nga Presidenti Donald Trump, ndërtohet atje.

“Shpenzuan aq shumë para për këtë gardh dhe nuk funksionoi”.

Zonja Taylor nuk e fsheh pakënaqësinë për barrierën e pjesshme që ekziston përreth shtëpisë së saj, një nismë e Presidentit Bush në vitin 2006. Ajo thotë se është një nga pikat kryesore të kalimit të imigrantëve.

Pikërisht kjo është arsyeja që administrata e Presidentit Trump do që të marrë masa për frenimin e tyre në Luginën Rio Grande. Por nëse muri ndërtohet atje, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë çmimin që dikton tregu për pronat private dhe kjo i ka indinjuar banorët e zonës.

“Si mund t’u shkojë mendja që mund të shkojnë dhe t’ua marrin shtëpitë njerëzve? Dhe pastaj të thonë ‘na falni’? Nuk më duket e drejtë. Mendoj se ata duhet të fillojnë të mendojnë për njerëzit këtu, para se të marrin çdo lloj vendimi”.

Në gjithë shtetin, organizata të ndryshme u kanë dhënë këshilla ligjore falas pronarëve që kanë të drejtën ta sfidojnë ofertën e qeverisë. Sipas Projektit për të Drejtat Civile në Teksas, 330 urdhra u lëshuan në Jug të Teksasit në vitin 2008 për gardhin e Presidentit Bush; 90 janë ende të pazgjidhura. Këtë herë numri i rasteve mund të jetë më i madh.

“Nëse pronarët mbajnë të njëjtin qëndrim dhe refuzojnë të pranojnë ofertat e qeverisë dhe vendosin t’i dërgojnë çështjet në gjykatë, do të jetë shumë e vështirë dhe qeverisë do t’i duhet një kohë e gjatë që t’i mbyllë çështjet dhe do të jetë një kohë aq e gjatë saqë është e arsyeshme të mendosh se do të hiqet dorë nga kjo politikë”.

Në gjithë luginën, shumë nga banorët që druhen se mund të humbin tokën, nuk janë të shqetësuar vetëm për ofertën e qeverisë.

“Jo, ne nuk jemi të pasur. Jam i sigurt se shuma e ofruar do të jetë tunduese, por nuk ka të krahasuar. Paratë që do të ofrohen as që mund të krahasohen me luksin që do të humbisnim”

I lindur dhe rritur në pronën e tij, Villarreal thotë se larmia e faunës është e jashtëzakonshme. Nëse qeveria i dorëzon një urdhër për të hequr dorë nga prona, ai sikurse banorët e tjerë, zotohet se nuk do të dorëzohen lehtësisht.

“Do të qëndrojmë, do të qëndrojmë deri në fund.”/voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat