SHBA, Lirohet nga burgu Chelsea Manning

Amerika

SHBA, Lirohet nga burgu Chelsea Manning

Më: 17 maj 2017 Në ora: 15:59
Chelsea Manning

Chelsea Manning, që gjatë shërbimit ushtarak në 2010 i dha Wikileaks mbi 700 mijë dokumente sekrete ushtarake dhe diplomatike, u lirua të mërkurën nga burgu pasi vuajti shtatë vjet nga dënimi me 35 vjet burgim.

Ndër dokumentet e nxjerra kishte raporte nga lufta në Irak dhe Afganistan, si dhe komunikime të Departamentit të Shtetit. Kritikët thanë se me këtë akt u nxorën disa nga sekretet më delikate të SHBA dhe u vunë në rrezik jetët e atyre që përmendeshin në dokumente për punën në ndihmë të trupave amerikane.

Ish-presidenti Barak Obama e reduktoi dënimin për Manning, duke caktuar të mërkurën si ditë për lirimin e saj.

Në 2010, kur u bë publikimi i dokumenteve akti u krye nga ushtari Bradley Manning, por gjatë dënimit me burgim Manning deklaroi se kishte prirje transgjinore dhe tani prezantohet si grua, me emrin Chelsea Manning.

Ajo thotë se kishte vepruar e nxitur nga “shqetësimet për vendin tim” për civilët e pafajshëm që vdiqën në luftra dhe me synimin për të nxitur “transparencë dhe përgjegjshmëri në institucionet publike”.

Ajo u shpall fajtore nga një gjykatë ushtarake lidhur me 20 akuza, përfshirë shkelje të ligjit për spiunazh, vjedhje dhe mashtrim dixhital. Ky vendim mbetet në fuqi dhe Manning ka thënë se synon ta apelojë.

Ajo shprehu kundërshtim ndaj dënimin të gjatë, që tejkalonte çdo dënim të dhënë më parë për akte të tilla. Avokatët e saj thanë se Chelsea Manning ishte bërë objekt dhune në burg dhe se ushtria e kishte keqtrajtuar duke e bërë të vuante dënimin në një burg për meshkuj dhe duke ia kufizuar qasjen në klinika për nevoja fizike dhe mendore.

"Tani do të shijoj përsëri lirinë me miq dhe njerëz të dashur, pas afro shtatë vjet që kalova pas mureve prej betoni dhe hekurave të burgut, pas periudhave në izolim dhe pas kufizimeve në kujdes shëndetësor dhe autonomi, përfshirë edhe prerjen e flokëve me detyrim”. Ajo shprehu mirënjohje për Presidentin Obama, ekipin e mbrojtjes në gjyq dhe përkrahësit e saj.

Deri të mërkurën ishin grumbulluar rreth 150 mijë dollarë përmes një fondi me donacione për të mbështetur Chelsea Manning të përballojë jetesën pas lirimit nga burgu./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat