Trump: Roja Bregdetare, jetike për forcat e armatosura

Amerika

Trump: Roja Bregdetare, jetike për forcat e armatosura

Më: 17 maj 2017 Në ora: 23:04
Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump mbajti një fjalim në ceremoninë e diplomimit të Akademisë së Rojes Kufitare në Nju London, të shtetit Konektikut.

Ai i tha studentëve “të mos i largohen rrezikut”, por ta përballojnë atë, duke shtuar se ata së shpejti do të luajnë një rol jetik në mbrojtjen e kufijve të Shteteve të Bashkuara nga trafikantët e drogës dhe të njerëzve.

“Ju jeni ata që do të luftoni trafikun njerëzor, një fenomen për të cilin nuk është folur, por që përbën një nga problemet më të mëdha që ka sot bota. Tek udhëheqja juaj në luftën kundër trafikut kanë besim jo vetëm qytetarët tanë, por edhe komandantët tuaj. Roja bregdetare është standarti i artë në luftën kundër trafikimeve.”- tha Presidenti.

Presidenti Trump i vlerësoi kadetët, duke u thënë se ata mund të kishin zgjedhur të shkonin në cilëndo shkollë, me më pak përgjegjësi, por kishin zgjedhur Akademinë e Rojes Bregdetare.

Ai i cilësoi Rojet Bregdetare të Amerikës “jetikë për forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara.”

Ai i këshilloi diplomantët të mos dorëzohen kurrë dhe të mos i rreshtin përpjekjet e tyre të guximshme për mbrojtjen e kufijve të Amerikës.

Pastaj Presidenti Trump i njohu studentët e diplomuar me një listë të arritjeve të tij si President, mes të cilave pakësimi i numrit të imigrantëve të paligjshëm dhe shtimi i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat