Trump sulmon emërimin e një prokurori të posaçëm

Amerika

Trump sulmon emërimin e një prokurori të posaçëm

Më: 19 maj 2017 Në ora: 19:00
Presidenti i SHBA Donald Trump

Presidenti i SHBA Donald Trump e sulmoi ashpër emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar marrëveshjet e mundshme midis ekipit të fushatës së tij zgjedhore dhe rusëve, në përpjekjet e tyre për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Presidenti Trump u tregua përsëri sfidues. Duke komentuar në krah të presidentit të Kolumbisë, ai e sulmoi ashpër emërimin e një prokurori të posaçëm për hetimin e lidhjeve të mundshme të ekipit të tij të fushatës me Rusinë:

"Unë e respektoj vendimin, por e gjithë kjo është një gjueti shtrigash."

Ai përsëri mohoi se ekipi i tij i fushatës bashkëpunoi me Rusinë që ajo ta ndihmonte të fitonte zgjedhjet.:

"Më besoni, nuk ka patur ndonjë bashkëpunim."

"Mendoj se është qesharake. Të gjithë mendojnë kështu," tha presidenti.

Teknikisht, jo të gjithë, mendojnë ashtu.

Përfshirë zëvendës-prokurorin e përgjithshëm të zotit Trump, i cili të mërkurën emëroi ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller si prokuror të posaçëm për të kryesuar hetimin.

Ndaj zotit Trump ka patur akuza se ka penguar hetimin, pas shkarkimit të James Comeyt si drejtor i FBI-së.

Trump thuhet gjithashtu se i kërkoi zotit Comey të ndërpresë hetimin e ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar, Mike Flynn, i cili ishte në kontakt me zyrtarët rusë gjatë fushatës.

I pyetur për këto njoftime, zoti Trump nguli këmbë në të tijën.

Shumë anëtarë të Kongresit nuk janë të bindur.

"Ekzistojnë prova në rritje për pengim të drejtësisë", sipas senatorit Blumenthal.

"Mendoj se kemi të bëjmë me një hetim penal," thotë senatori Graham.

Nuk është ende e qartë se kush tjetër do të përfundojë nën hetime.

Por zoti Trump këmbëngul se nuk do të jetë ai:

"Sigurisht që nuk ka patur asnjë bashkëpunim nga ana ime dhe ekipi im i fushatës. Por unë gjithmonë flas për veten time."

Një përgjigje e kujdesshme kjo e një presidenti të rrethuar nga kritikat.

Presidenti Trump thotë gjithashtu se polemikat rreth Shtëpisë së Bardhë që nuk po njohin prehje, po dëmtojnë unitetin e vendit./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat