Anthony Weiner deklaron fajësinë

Amerika

Anthony Weiner deklaron fajësinë

Më: 19 maj 2017 Në ora: 22:26
Anthony Weiner

Ish ligjvënësi demokrat Anthony Weiner deklaroi në një gjykatë të Nju Jorkut sot, se ishte fajtor lidhur me akuzat për kontakt të papërshtatshëm në internet me një vajzë 15 vjeçare.

Weiner, qau në gjykatë ndërsa i kërkoi ndjesë familjes së vajzës. Ai pranoi fajësinë lidhur me akuzën për transmetimin e materialeve seksuale tek një e mitur dhe ra dakort të mos e apeloj dënimin me burg që mund të jetë nga 21 deri në 27 muaj.

"Jam i sëmurë, por ky nuk është justifikim”, tha Weiner ndërsa i kërkoi falje 15 vjeçares.

Weiner do të regjistrohet si agresor seksual në bazë të marrëveshjes së arritur, tha gjykatësi.

Weiner u hetua në shtator të vitit të kaluar pasi vajza i tregoi një gazete tabloidësh se ajo dhe ish ligjvënësi kishin shkëmbyer mesazhe të papërshtatëshme prej disa muajsh.

Ajo e akuzoi gjithashtu atë se i kishte kërkuar të zhvishej përpara kameras.

Weiner ka një histori skandalesh seksuale.

Ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga kongresi në vitin 2011 pasi postoi aksidentalisht një fotografi seksuale të vetes në llogarinë e tij në Twitter. Ai më pas pranoi se “kishte këmbyer mesazhe dhe fotografi të një natyre të papërshtatshme me gati gjashtë gra gjatë një periudhe mbi tre vjeçare."

Rreth dy vjet më vonë, në vitin 2013, Weiner u përball me një skandal tjetër që kishte të bënte me mesazhe me përmbajtje seksuale, ndërkohë që shpresonte të kthehej në politikë duke hyrë në garën për kryetar bashkie të qytetit të Nju Jorkut. Weiner përdori pseudonimin "Carlos Danger" për të dërguar pamje të papërshtatshme tek një vajzë 22 vjeçare nga Indiana. Ai u tërhoq nga gara pas daljes në dritë të skandalit.

Bashkëshortja e zotit Weiner, Huma Abedin, njoftoi synimin e saj për t’u ndarë prej tij në gusht të vitit 2016, pasi u njoftua se zoti Weiner i kishte dërguar tekste me përmbajtje seksuale një gruaje tjetër ndërsa ishte shtrirë në shtrat me të birin. Abedin ishte këshilltare e ngushtë në fushatën presidenciale të kandidates Hillary Clinton në vitin 2016 dhe ka punuar për zonjën Clinton për një kohë të gjatë./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat