Komisionet e Kongresit, urdhëra të rinj me shkrim për Flynn

Amerika

Komisionet e Kongresit, urdhëra të rinj me shkrim për Flynn

Më: 25 maj 2017 Në ora: 19:02
Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Flynn

Dy komisionet e Kongresit të Shteteve të Bashkuara që po zhvillojnë hetimet rreth Rusisë, konfirmuan se do të paraqesin kërkesa të reja ligjore për dorëzim informacioni ndaj ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn.

Ai refuzoi t’i bindej një kërkese të ngjashme nga Kongresi duke përdorur të drejtën e mos shprehjes në dëm të vetes, të parashikuar në amendamentin e pestë të Kushtetutës amerikane. Anëtarë të Kongresit thonë se amendamenti nuk mund të përdoret për kërkesat që zoti Flynn të dorëzojë të dhënat e biznesit të tij.

Komisione të Kongresit amerikan po përgatisin kërkesa të reja për Michael Flynn-in, që ai të dorëzojë dokumenta dhe të dëshmojë në kuadër të hetimeve për lidhje të mundshme me zyrtarë rusë.

Zoti Flynn e refuzoi këtë javë Komisionin e Zbulimit të Senatit, duke mos pranuar të dorëzojë informacionin e kërkuar për periudhën 24-ditore kur ai kishte një post kyç në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump e shkarkoi zoti Flynn për shkak se pati gënjyer Nënpresidentin Pence për kontaktet me ambasadorin e Rusisë në SHBA, gjatë javëve përpara se zoti Trump të ishte në pushtet. Ai u pagua rreth 30 mijë dollarë për aktivitete në Moskë, ndër to edhe për pjesëmarrjen në një darkë në vitin 2015 të kanalit televiziv rus RT, ku u ul në krah të Presidentit rus Vladimir Putin. Gjithashtu, ai ka përfituar rreth 500 mijë dollarë për përfaqësuar interesat e Turqisë në SHBA.

Të dyja komisionet që po hetojnë, njoftuan se do të dërgojnë thirrje të reja me shkrim për zotin Flynn. Ai refuzoi të bashkëpunonte duke kërkuar të drejtën e heshtjes, sipas amendamentit të pestë të Kushtetutës amerikane.

Ndër radhët e senatorëve ka pikëpyetje nëse amendamenti i pestë mund të përdoret nga një person të cilit i kërkohen dokumenta. Sidoqoftë, krahas komisioneve të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, zoti Flynn po hetohet edhe nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes nëse ai pati kërkuar leje për të përfituar fonde të qeverive të huaja. Hetimet për bashkëpunim të fshehtë ndërmjet anëtarëve të ekipit elektoral të zotit Trump dhe Moskës do të drejtohen nga prokurori i posaçëm i sapoemëruar, Robert Mueller. Presidenti Trump i ka quajtur hetimet një “gjueti shtrigash” të nxitur nga demokratët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat