SHBA: Gjykata e Apelit mban në fuqi bllokimin e ndalimit të udhëtimit

Amerika

SHBA: Gjykata e Apelit mban në fuqi bllokimin e ndalimit të udhëtimit

Më: 25 maj 2017 Në ora: 22:23
ilustrim

Një gjykatë federale e apelit i dha një tjetër goditje sot urdhërit të rishikuar të Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimit nga gjashtë vende me shumicë myslimane, duke mbajtur anën e grupeve që thonë se urdhri vë në shënjestër në mënyrë të paligjshme myslimanët.

Gjykata e Apelit e Qarkut të 4-rt mbajti në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët, që ndalonte administratën republikane të pezullonte në mënyrë të përkohshme lëshimin e vizave të reja për shtetasit nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Gjykata e apelit në Riçmond të Virxhinias është e para gjykatë që merr vendim mbi urdhërin e rishikuar që ndalon udhëtimin drejt Amerikës. Administrata e presidentit Trump kishte shpresuar se me ndryshimet që i kishin bërë urdhërit, do të shmangnin problemet ligjore që hasën me variantin e parë të tij.

“Kongresi i dha presidentit fuqi të gjerë për t’u mohuar shtetasve të huaj mundësinë për të hyrë në Amerikë, por kjo fuqi nuk është absolute. Nuk mund të jetë e pakontrolluar, siç këtu, ku presidenti e ushtron atë nëpërmjet një urdhëri ekzekutiv që të shkakton dëm të pariparueshëm për individët në të gjithë vendin” kishte shkruar në vendimin e tij kryetari i gjykatës së apelit Roger L. Gregory.

Ka të ngjarë që presidenti të apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë amerikane.

Një pyetje themelore në këtë çështje është nëse gjykatat duhet të marrin në konsideratë deklaratat e mëparshme të zotit Trump për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Gjykatësi federal në Maryland, i cili bllokoi urdhërin për ndalimin e udhëtimit, përmendi komentet e bëra nga zoti Trump dhe ndihmësit e tij gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve, si dëshmi se urdhëri ishte kryesisht i motivuar nga arsye fetare.

Administrata e presidentit Trump argumentoi se gjykata nuk duhet të shohë përtej tekstit të urdhrit ekzekutiv, i cili nuk përmend fenë. Zyrtarët e administratës argumentuan se vendet e përfshira në urdhër nuk u zgjodhën, sepse kanë shumicë myslimane por për shkak se paraqesin rrezik për terrorizëm.

Urdhri i parë i presidentit i nënshkruar në muajin janar shkaktoi kaos dhe protesta anembanë vendit, pasi udhëtarët u ndaluan të hipnin në fluturime ndërkombëtare dhe u mbajtën në aeroporte për orë të tëra. Presidenti nxori një variant të ndryshuar të urdhërit pasi Gjykata e Apelit e qarkut të 9-të në Shtetet e Bashkuara refuzoi të rivendoste ndalimin që parashikonte urdhri.

Në versionin e ri u bë e qartë se ndalimi i udhëtimit për 90 ditë mbulon gjashtë vende, por nuk zbatohet për ata shtetas që kishin viza të vlefshme në momentin e daljes së urdhërit. Në të u hoq gjuha që përdorej në variantin e parë, ku thuhej se përparësi i jepet pakicave fetare si dhe hiqej Iraku nga lista e vendeve që u ndalohej udhëtimi drejt Amerikës.

Por kritikët thanë se ndryshimet nuk i shmangën problemet ligjore të urdhërit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat