Trump çon çështjen e ndalimit të udhëtimit në Gjykatën e Lartë

Amerika

Trump çon çështjen e ndalimit të udhëtimit në Gjykatën e Lartë

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 22:07
SHBA

Presidenti Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të vendit rivendosjen e kufizimeve të parashikuara në urdhrin e tij ekzekutiv, që ndalon udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Administrata i kërkoi gjykatës të shqyrtojë ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv, i rrëzuar prej gjykatave të nivelit më të ulët.

Vendimi i fundit kundër politikës së udhëtimit të presidentit Trump erdhi nga një gjykatë federale e apelit në muajin maj.

Gjykata në Richmond të shtetit Virxhinia tha se urdhri ishte në fakt ndalim për myslimanët.

"Urdhri ekzekutiv nuk është asgjë më shumë se ajo çfarë presidenti premtoi përpara dhe pas zgjedhjes së tij: diskriminim i qartë kundër myslimanëve", thuhet në vendimin prej 205 faqesh të gjykatësit të apelit.

Shumica e trupit gjykues prej 13 gjyqtarësh që vendosi në këtë rast, përmendi komentet në tweeter të zotit Trump, intervistat e tij televizive dhe deklaratat e publikuara në faqen në internet gjatë fushatës, si dëshmi e qëllimit të tij.

Por administrata Trump argumenton se gjykata nuk duhet të shohë përtej tekstit të urdhrit ekzekutiv, i cili nuk përmend fenë. Zyrtarët e administratës argumentuan se vendet e përfshira në urdhër nuk u zgjodhën sepse kanë shumicë myslimane, por për shkak se paraqesin rrezik për terrorizëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat