Ambjentalistët: Muri në kufi do të dëmtojë faunën

Amerika

Ambjentalistët: Muri në kufi do të dëmtojë faunën

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 05:00
ilustrim

Ka krijuar shumë debat kostoja e murit që Presidenti Donald Trump dëshiron të ndërtojë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Në luginën e Rio Grandes në Teksas, e përcaktuar si zonë me prioritet të lartë për murin kufitar, rrezikohet edhe një tjetër aspekt i rëndësishëm, kafshët e egra, shumë prej të cilave janë tashmë specie të rrezikuara.

Shenjat për vendkalimet e jaguarëve ende ekzistojnë përqark Universitetit të Teksasit në luginën Rio Grande, megjithëse nuk ka gjasa t’i hasni ndonjëherë. Në të gjithë Teksasin numërohen vetëm 50 jaguarë - një specie në rrezik. Ndërtimi i një muri kufitar do t’u ndërpriste atyre edhe lidhjet e mundshme me jaguarët më të shumtë në numër të Meksikës.

“Në këtë anë të lumit janë një ose dy grupime kafshësh që janë në rrezik zhdukjeje. Me një rrethim kufitar do të pengohej komunikimi me grupet përtej kufirit”, thotë ekologu Alejandro Fierro.

Mbrojtësit e faunës në Teksas kanë ngritur alarmin rreth një dekadë më parë gjatë presidencës George W. Bush, kur një gardh kufitar ndau në mes rezervatet natyrore. Tashmë, planet për një mur më të zgjeruar përgjatë luginës së Rio Grandes po i shtojnë tensionet në një zonë të ndjeshme nga pikëpamje ekologjike.

“Nëpërmjet një rrethimi të tillë mund të ndryshosh të gjithë ekologjinë e zonës. Dhe nëse ka një mur prej betoni, ai ndalon të gjitha kafshët, përveç zogjve që mund të fluturojnë mbi të. Asnjë kafshë e egër nuk do të kalojë dot”, thotë Scott Nicol, i organizatës “Sierra Club Borderlands”.

Në zonën e mbrojtur kombëtare të faunës në luginën e Rio Grandes, ka të paktën 19 specie të rrezikuara, të cilat mund të preken edhe më tej nga ndërtimi i murit.

Dhe në fushat nën nivelin e ujit ku ekziston tashmë një gardh kufitar, këto specie kanë pak shanse t’i mbijetojnë një furtune tropikale apo një uragani.

“Në të kaluarën, ato thjesht mund të largoheshin drejt një toke më të lartë nga niveli i ujit. Pra, shumë specie, si jaguarët, mund të shkonin drejt një toke të thatë. Një mur betoni nuk do t’i lejonte më të zhvendoseshin dhe do të mbeteshin të izoluar dhe të pashpresë për muaj të tërë në një terren të përmbytur”, thotë zoti Nicol.

Nëse propozimi i administratës Trump miratohet, në këtë luginë do të ngrihen edhe 45 kilometra të tjera mur kufitar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat