Pas sulmit me armë, ligjvënësit amerikanë lënë pas ndasitë partiake

Amerika

Pas sulmit me armë, ligjvënësit amerikanë lënë pas ndasitë partiake

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 19:27
Dhoma e Përfaqësuesve

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve u zotuan të lënë mënjanë ndasitë politike pas incidentit të djeshëm, kur një ligjvënës republikan dhe anëtarë të stafit u qëlluan me armë gjatë një stërvitjeje beizbolli. Lajmi tronditës për plagosjen e njërit prej udhëheqësve republikanë të Dhomës, Steve Scalise pezulloi të paktën përkohësisht debatin e nxehtë politik në Uashington.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët qëndruan përkrah republikanëve ende të tronditur prej sulmit me armë.

“Ne jemi një shtëpi, shtëpia e popullit, të bashkuar në humanizmin tonë që do të triumfojë...,”deklaroi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Ishte një ditë që filloi me plagosjen e ligjvënësit Scalise, dy anëtarëve të stafit të Kongresit dhe dy oficerëve të policisë së Kapitolit, e cila parandaloi një tragjedi të përmasave më të mëdha.

“Policia e Kapitolit na shpëtoi jetën”, tha ligjvënësi Joe Barton ndërsa po evakuohej nga skena e krimit.

Objektiv i sulmit duket se ishin republikanët që po ushtroheshin për një ndeshje bamirësie, tha një ligjvënës që kishte folur me autorin e sulmin pak përpara se të fillonin të shtënat.

“Në parkim fola me dikë që më pyeti nëse anëtarët e ekipit ishin republikanë apo demokratë. Pasi i thashë që janë republikanë, ai m’u përgjigj ‘OK, faleminderit’,” u tha gazetarëve ligjvënësi Jeff Duncan.

Ai ishte vetëm njëri prej anëtarëve të Kongresit të tronditur nga dhuna. Ligjvënësi tjetër Chuck Fleischmann tha se dëgjoi disa të shtëna...

“Jehona ishte e lartë dhe vura re gjak në tokë. Disa njerëz ishin plagosur. Falë Zotit nuk më qëlloi edhe mua; isha me fat”, tha zoti Fleischmann.

Ligjvënësi Ryan Costello ishte edhe më fatlum pasi nuk mbërriti dot në kohë dhe nuk arrinte të besonte lajmet për ngjarjen.

Ai megjithatë ka shpresë për të ardhmen e politikës.

“Të gjithë jemi këtu për të punuar dhe për të realizuar, republikanë dhe demokratë. Edhe kur nuk biem dakort, duhet t’i trajtojmë gjërat në mënyrë më të civilizuar”, thotë zoti Costello.

Gjatë ditës, kur Dhoma e Përfaqësuesve u mblodh për t’u lutur dhe për të reflektuar, shumë anëtarë u zotuan se sulmi nuk do të ndalë punën që bëjnë...

“Duhet të vazhdojmë të angazhohemi plotësisht dhe të jetojmë jetën amerikane, përndryshe do të triumfojnë të tjerë që nuk përfaqësojnë Amerikën”, tha ligjvënësja Martha McSally.

Kongresi synon ta mbajë këtë premtim duke filluar nga sot./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat