SHBA, vrasja e vajzës myslimane, ngrihen akuza

Amerika

SHBA, vrasja e vajzës myslimane, ngrihen akuza

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 04:59
ilustrim

Policia në shtetin amerikan Virxhinia ngriti akuza kundër një personi për vrasjen e një vajze 17-vjeçare, të cilën e sulmoi të dielën paradite kur ajo po dilte me shoqet nga një xhami në periferi të Uashingtonit.

Policia tha se nuk po e heton çështjen si krim urrejtjeje.

Autoritetet thanë se mes të dyve pati një grindje dhe se shoqet e vajzës, e identifikuar si Nabra Hassanen, u larguan me nxitim kur personi në fjalë doli nga makina për ta sulmuar.

Shoqet e saj shkuan pastaj në shoqatën myslimane të zonës (ADAMS) dhe prej andej u thirr policia, e cila ndërmori kërkime me orë të tëra. Më në fund ata gjetën një trup pa jetë në një pellg rreth pesë kilometra më larg. Mendohet që ky të ishte trupi i vajzës në fjalë.

Gjatë kërkimit është arrestuar 22-vjeçari Darwin Martinez Torres dhe kundër tij është ngritur akuza për vrasje.

Autoritetet fillimisht thanë se nuk e përjashtonin urrejtjen si motiv për sulmin, por të hënën thanë se nuk po e hetonin çështjen si krim urrejtjeje.

ADAMS bëri thirrje për zbatimin e ligjit për të përcaktuar motivin dhe për të "bërë ndjekje penale me fuqinë e plotë të ligjit.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat