Ligjvënësit të ndarë nëse presidenti ka penguar ose jo drejtësinë

Amerika

Ligjvënësit të ndarë nëse presidenti ka penguar ose jo drejtësinë

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 19:21
Robert Mueller

Në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, sot po zhvillohen dy seanca të tjera dëgjimore në përpjekje për të hedhur dritë mbi ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore presidenciale të vitit të kaluar. Por ligjvënësit mbeten të ndarë lidhur me çështjen nëse presidenti Donald Trump ka ndërmarrë apo jo hapa për të penguar drejtësinë në hetimin për Rusinë, një çështje që siç thuhet në shtyp, është fokusi i hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Ky raund i seancave dëgjimore në kongres po përqendrohet në në përmasën e përpjekjes ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Por një çështje e rëndësishme që mbetet e pazgjidhur ka të bëjë me atë nëse vetë presidenti Trump është nën hetim për pengim të mundshëm të drejtësisë.

Një koment në twitter i presidentit javën e kaluar dukej se konfirmonte raportet mediatike se tashmë ai është subjekt i hetimit, ku shtonte se është viktimë e një "gjuetie shtrigash".

Por një prej avokatëve të presidentit, Jay Sekulow e mohoi duke thënë se Shtëpia e Bardhë nuk ka marrë asnjë konfirmim zyrtar se presidenti Trump është nën hetim.

Gjatë këtij muaji në dëshminë e tij përpara Komisionit të zbulimit në Senat, ish drejtori i FBI-së James Comey tha se presidenti i kishte thënë se "shpresontë se do ta linte këtë të kalonte”, duke iu referuar hetimit të FBI-së për ish këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn”. Zoti Comey tha se e kishte kuptuar atë çfarë zoti Trump i kishte thënë si një udhëzim presidencial.

"Nuk mendoj se më takon mua të them nëse biseda që pata me presidentin ishte një përpjekje për pengim të drejtësisë. Por ajo çfarë më tha ishte shumë, shumë shqetësuese", tha ish drejtori i FBI-së James Comey.

Presidenti Trump e mohoi rrëfimin e zotit Comey mbi bisedën e tyre rreth zotit Flynn.

"Nuk e kam thënë atë çka ai pretendon. Do t’jua tregoj se nuk e kam thënë. Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse do ta kisha thënë, bazuar në interpretimet e të gjithëve që kam lexuar në shtyp, por nuk e kam thënë.

Sipas Paul Schiff Berman, analistët ligjorë janë të ndarë nëse ka prova të mjaftueshme ose jo për të sugjeruar pengimin e drejtësisë.

"Mendimi im është se në përgjithësi ligjvënësit në Kongres dhe të tjerë do ta besojnë dëshminë e zotit Comey. Pyetja që shtrohet është nëse ata mendojnë se dëshmia e James Comey-t përbën pengim të drejtësisë"

Disa republikanë i kanë dalë në mbrojtje presidentit, përfshirë dhe kryetari i Komitetit të Zbulimit në Senat Richard Burr që pati këtë shkëmbim me zotin Comey gjatë dëshmisë së tij.

"A ju ka kërkuar presidenti ndonjëherë që të ndalni hetimin që po zhvillon FBI-ja lidhur mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016?"- Richard Burr.

"Jo, siç unë e kam kuptuar, jo"- tha zoti Comey.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller nuk ka folur publikisht në lidhje me hetimin ose nëse presidenti Trump është tashmë në fokus të tij./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat