Hyn në fuqi urdhëri për ndalimin e udhëtimeve nga 6 vende myslimane

Amerika

Hyn në fuqi urdhëri për ndalimin e udhëtimeve nga 6 vende myslimane

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 19:32
ilustrim

Rregullat më të fundit në kuadër të urdhrit për ndalimin e udhëtimeve drejt Shteteve të Bashkuara, duket se nuk kanë shkaktuar kaosin dhe konfuzionin që u shënua me variantin e parë të tij.

Gjykata e Lartë amerikane rivendosi hyrjen pjesërisht fuqi të variantit të rishikuar të urdhrit, duke filluar nga dje në mbrëmje. Urdhri i rishikuar ishte ndaluar të zbatohej prej disa gjykatave të shkallëve më të ulta, me arsyetimin se ishte antikushtetues.

Duke filluar nga mbrëmë, ka nisur zbatimi i kërkesave të reja për aplikantët për viza nga gjashtë vendet me shumicë myslimane. Në mënyrë që të pajisen me vizë ata duhet të provojnë se kanë marrëdhënie të ngushtë familjare ose kontratë biznesi në Amerikë.

Dje zyrtarët e lartë të administratës bënë të ditur udhëzimet se si duhet të veprojnë zyrat konsullorë me kërkesat për viza për shtetasit nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Sipas tyre çdokush që kalon tranzit në Shtetet e Bashkuara, falë një udhëtimi të planifikuar përpara datës 6 korrik, do të lejohet të hyjë. Ndërsa do të shqyrtohen "më vonë" rastet e atyre që kanë rezervuar pas kësaj date.

Zyrtarët e administratës thane se aplikimet për vizë të bëra përpara hyrjes pjesërisht në fuqi të urdhrit ekzekutiv, nuk do të anulohen, por shqyrtimi do t’i nënshtrohet udhëzimeve të reja.

Dje hyri gjithashtu në fuqi ndalimi 120 ditor për refugjatët, për një numër prej 50 mijë vetësh që pranohen çdo vit me këtë status në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, sipas udhëzimeve, çdo refugjat që mund të japë prova për një marrëdhënie të ngushtë familjare me një shtetas amerikan do të pajiset me vizë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat