Portret i senatorit amerikan John McCain

Amerika

Portret i senatorit amerikan John McCain

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 16:55
Senatori John McCain

Një numër i madh njerëzish kanë shprehur mbështetje për senatorin republikan John McCain, një figurë e spikatur e politikës amerikane, pasi u zbulua se ai ishte diagnostikuar me një formë agresive të kancerit në tru. Zoti McCain shihet nga shumë amerikanë si një hero, për shërbimin e tij në Luftën e Vietnamit, ku u mbajt për 5 vjet si rob lufte, si edhe për 32 vitet që ka shërbyer si senator i Arizonës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine e intervistoi zotin McCain vitin e kaluar dhe i hedh një vështrim jetës dhe kontributit të tij të deritanishëm, një ligjvënës 80-vjeçar i cili ka në plan të rikthehet së shpejti në Senat.

John McCain pati një fillim të rrezikshëm në jetë. Kur ishte i ri, pilot i flotës ushtarake detare në Vietnam, avioni i tij u qëllua me armë dhe u rrëzua mbi një liqen në Hanoi. Ai qëndroi atje për 5 vjet të tjerë, si rob lufte, ku e rrahën dhe e torturuan. Ai nuk flet shumë për ato vite. Por atij i pëlqen të flasë për 20 vizitat që ka bërë në Vietnam si dhe për përpjekjet e tij për të rikthyer në atdhe eshtrat e ushtarakëve amerikanë të vrarë atje. Ai dha një intervistë për Zërin e Amerikës vitin e kaluar:

“Para së gjithash, unë u përpoqa shumë për normalizimin e marrëdhënieve tona. Doja që plagët tona të shëroheshin, që shumë nga veteranët tanë, të cilët nuk mundën ta bënin këtë, të ktheheshin në vendin e tyre. Mund t’jua them numrin e veteranëve që kam takuar, të cilët i kanë çuar familjet e tyre në Vietnam, për t’u treguar se ku kanë qëndruar dhe luftuar kur ishin ushtarë. Marrëdhëniet mes popullit vietnamez dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të mira se sot.”

McCain është kryetari republikan i Komisionit të Fuqishëm të Shërbimeve të Armatosura të Senatit. Ai njihet gjithashtu për bashkëpunimin e tij me demokratët për çështje si ndryshimet klimatike, reformën e plotë të imigracionit dhe atë të financimit të fushatave.

John McCain ka kandiduar dy herë për postin e Presidentit. Në vitin 2008, ai siguroi emërimin e Partisë Republikane për të kandiduar kundër kolegut të tij senator, Barack Obama. Disa javë para zgjedhjeve, zoti McCain mbajti qëndrim ndaj një prej përkrahësve të tij, që u përpoq ta fyente zotin Obama.

Pjesëmarrësi: “Ai është arab.”

McCain:“Jo zonjë, ai është burrë i mirë, familjar, një qytetar me të cilin ndodh që unë të kem mosmarrëveshje.”

Një nga njerëzit e parë që reagoi menjëherë pas njoftimit për diagnostimin me kancer në tru të zotit McCain, ishte Barack Obama, i cili postoi një tweet:

“John McCain është një hero amerikan dhe njëri prej luftëtarëve më të trima që kam njohur. Kanceri nuk e di se kë ka përballë. Munde atë John!”

Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe Presidenti Donald Trump dhe një numër i madh kolegësh të zotit McCain në Capitol Hill, të cilët mezi presin që ai rikthehet së shpejti në punë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat