SHBA, Ligji për transparencë në qeveri: ndikimi dhe sfidat

Amerika

SHBA, Ligji për transparencë në qeveri: ndikimi dhe sfidat

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 17:53
Dokumente mbi abuzime seksuale në ushtrinë amerikane, të bëra publike përmes ligjit FOIA

Këtë muaj u mbushën 50 vjet që kur hyri në fuqi Ligji për Lirinë e Informimit, i njohur shkurtimisht si FOIA. Ligji u hartua mbi një ide radikale: çdo gjë që ndodh brenda qeverisë amerikane duhet të jetë e hapur për publikun. Sipas ligjit çdo individ, korporatë, apo organizatë kudo në botë ka të kërkojë nxjerrjen e dokumenteve zyrtare nga qeveria amerikane. Qeveria mund ta mohojë nxjerrjen e këtij informacioni vetëm nëse përjashtohet në bazë të nëntë kritereve që lidhen me shqetësime si shkelja e privacisë së individëve apo çështje të sigurisë kombëtare. Gazetarët paraqesin përditë kërkesa pranë institucioneve për informacion zyrtar, në përputhje me të drejtën që ofron FOIA. Ky ligj ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në informimin e amerikanëve dhe vënien e autoriteteve para përgjegjësisë publike:

Gjatë 50 vjetëve të fundit ligji FOIA është bërë një burim i pazëvendësueshëm informacioni për gazetarët.

"E di nga përvoja ime, pasi kam arritur të siguroj me sukses dokumente nga agjenci të ndryshme qeveritare, dhe kam zbuluar shkelje, mashtrime, shpërdorime, abuzime,” tregon gazetari investigative Jason Leopold, i cili punon për portalin mediatik BuzzFeed.

Gazetari investigativ Jason Leopold ka marrë epitetin “terrorist i FOIA-s” apo “i fiksuar pas FOIA-s”, bazuar në numrin e kërkesave që ka paraqitur për nxjerrjen e dokumenteve qeveritare. Kërkesa e tij për publikimin e komunikimeve të ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton e detyroi Departamentin e Shtetit të nxirrte emailet e ish-shefes së diplomacisë, duke bërë publik edhe faktin se ajo kishte përdorur një server privat emaili:

"Kur kërkova emailet e Hillary Clintonit ende nuk dihej se ajo kishte përdorur një server privat. Unë i kërkova emailet pasi besoja se ato do t’i ofronin publikut një pasqyrë të vlefshme të punës që kishte bërë si shefe e diplomacisë, gjë që mund të shërbente si parathënie e punës që mund të bënte si presidente. Për fat të keq, përpjekjet e mia për të informuar publikun humbën mes zhurmës së krijuar në lidhje me serverin. Tema e serverit privat u bë qendrore për më shumë se një vit mbulimi nga media,” tregon gazetari.

Ai pohon se shumë agjenci qeveritare mund të irritohen nga kërkesat e tij, por ai mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij.

“Këtë punë bëj unë si gazetar investigativ. Ky është gurëthemeli i demokracisë sonë – transparenca. Këto janë dokumente që i takojnë publikut,” thotë Jason Leopold.

Por megjithë ekzistencën e ligjit dhe megjithë angazhimet që marrin qeveri të njëpasnjëshme amerikane për transparencë, në rrjedhën e viteve vërehet një tendencë për mbyllje dhe fshehtësi në institucione:

“Organizata Track që vepron në bashkëpunim me Universitetin Syracuse përllogarit se kohët e fundit ka pasur më shumë padi gjyqësore se kurrë më parë ndaj institucioneve për mosrespektimin e kërkesave për nxjerrje informacioni. Të dhënat që kemi tregojnë se gjatë dekadës së fundit është shtuar fshehtësia, që matet nga shtimi i numrit të kërkesave për informacion që qeveria i ka kundërshtuar me argumentin se informacioni bën pjesë në kategoritë e përjashtuara nga publikimi,” thotë juristi Adam Marshall i organizatës jo-fitimprurëse Komiteti i Reporterëve për Lirinë e Shtypit.

Adam Marshall ka punuar si jurist në një numër padish gjyqësore të ngritura nga gazetarë e grupe mediatike kundër qeverisë kur janë mohuar kërkesat e tyre bazuar në ligjin FOIA. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara ende kanë shumë punë për të bërë për të përmbushur premtimin si një qeveri e hapur e transparente:

“Ligji i Shteteve të Bashkuara në letër duket mjaft i mirë, por problemet lindin në praktikë, kur duhet të përballesh me burokracinë e agjencive federale, kur çështja kalon në sistemin gjyqësor dhe e sheh sa e vështirë është të nxjerrësh informacion,” thotë juristi Marshall.

Megjithatë, ai mbetet optimist, pasi thotë se Shtetet e Bashkuara ekziston një rrjet energjik grupesh mediatike e organizatash joqeveritare që punojnë për të realizuar premtimin e Ligjit për Lirinë e Informimit:

“Gazetarët dhe grupet joqeveritare në SHBA janë aq të përkushtuar ndaj idesë që përfaqëson ligji. Megjithëse përballen me një proces të ngadaltë e irritues, shpesh herë jofunksional, ata punojnë me një energji dhe besim të jashtëzakonshëm dhe me dëshirën për ta përmirësuar ligjin,” thotë juristi.

Këta individë dhe organizata, thotë ai, besojnë mbi të gjitha në misionin e FOIA-s:

“Drita e diellit është dizinfektuesi më i mirë,” thotë Jason Leopold.

50 vjet që nga dita kur hyri në fuqi FOIA, ky ligj mbetet arma më e mprehtë për gazetarët që të çajnë perden e fshehtësisë në burokracinë amerikane, për të garantuar që qeveria të jetë transparente dhe e përgjegjshme dhe që popullata të jetë e mirë-informuar dhe e angazhuar në procesin demokratik./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat