Ish-diplomatë shprehin shqetësim për mundësinë e ndryshimeve në DASH

Amerika

Ish-diplomatë shprehin shqetësim për mundësinë e ndryshimeve në DASH

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 21:40
ilustrim

Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson po i del në mbrojtje përpjekjeve të tij për “riorganizimin” e Departamentit të Shtetit, duke thënë se ky është një proces i udhëhequr nga vetë punonjësit, me synimin për të qenë më të efektshëm, dhe se riorganizimi nuk ka rezultate të paramenduara. Ish zyrtarë dhe ish ekspertë të politikës së jashtme në Departamentin e Shtetit janë duke shprehur shqetësim se administrata Trump po planifikon që ta zbehë rëndësinë që ka nxitja e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut në politikën e jashtme amerikane.

6 muaj më parë, Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson iu rezervua një pritje e ngrohtë në Departamentin e Shtetit. Por shkurtimet e propozuara për buxhetin, vendet bosh në pozicionet e larta drejtuese dhe diskutimi për një “riorganizim” i kanë merakosur shumë nga 36 mijë punonjësit e Departamentit të Shtetit.

Sekretari Tillerson po i del në mbrojtje planeve të tij të ristrukturimit:

“Njerëzit me të cilët jam në kontakt po e presin me kënaqësi riorganizimin, me shpresën se do të marrin asistencë në disa fusha që i kanë shqetësuar për një kohë të gjatë; unë mendoj se ata janë duke filluar të kuptojnë se misioni i Departamentit të Shtetit është që ta udhëheqë politikën e jashtme amerikane, të krijojë kushtet për një Amerikë më të mirë, më të sigurtë dhe më të begatë: këtë ne e bëjmë brenda dhe jashtë vendit. Ky mision i yni nuk ndryshon kurrë.”

Por njoftimet se po qarkullon një deklaratë e re për misionin e Departamentit, që mund të eliminojë frazën se Departamenti i Shtetit përpiqet të nxisë demokracinë dhe drejtësinë në mbarë botën, po ngre shqetësime. Ish ambasadorja Laura Kennedy ka shërbyer në Departamentin e Shtetit për 40 vjet me radhë. Ajo thotë:

"Është e pamundur që politika jonë e jashtme të ndahet nga demokracia dhe drejtësia. Këto janë koncepte bazë që na karakterizojnë ne si popull. Këto parime e kanë fillesën tek themelimi i vendit tonë, krijimi i Departamentit të Shtetit, si ministria e parë e shtetit. Prandaj më duket e paarsyeshme që të konsiderosh ndryshimin e këtyre koncepteve.”

Sipas një tjetër raporti, Tillerson nuk po e prek ende fondin e miratuar tashmë nga Kongresi për Qendrën e Angazhimit Global, për t’iu kundërvënë propagandës së Shtetit Islamik dhe Rusisë.

"Kundërvënia ndaj propagandës së ISIS-it duhet të jetë në krye të listës së përparësive tona. Dizinformimi i Rusisë nuk është diçka e re, ashtu sikurse edhe përpjekjet për të planifikuar mesazhet tona dhe për t’iu kundërvënë atyre që janë jo-etike për interesat tona. Ne e kemi bërë gjithmonë këtë.”- thotë ish diplomatja.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha se Qendra për Angazhimin Global po e vazhdon intensivisht punën, por si një njeri që vjen nga bota e biznesit, Sekretari Tillerson po përpiqet që fondet të shpenzohen në mënyrë sa më të efektshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat