SHBA, demokratët në kërkim të përparësive politike

Amerika

SHBA, demokratët në kërkim të përparësive politike

Më: 5 gusht 2017 Në ora: 22:20
Kapitol

Në radhët e Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara duket se ka mendime të ndryshme lidhur me theksin që duhet vënë mbi akuzat për një marrëveshje të fshehtë mes fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Rusisë, sipas kompanisë mediatike “Politico”.

Kandidatë demokratë për zgjedhjet për në Kongres dhe politikanë të kësaj partie i kanë shprehur asaj shqetësim se dhënia përparësi debatit lidhur me Rusinë, në vend të çështjeve të tjera, si psh kujdesi shëndetësor, mund të sjellë dështime për demokratët.

Konsulenti veteran i demokratëve Bill Burton, i cili është përfshirë në disa fushata politike, i tha “Politico-s” se votuesit “janë lodhur duke dëgjuar për çështjen e Rusisë dhe duan që politikanët të diskutojnë për çështje që janë drejtpërsëdrejti të rëndësishme për jetën e tyre.”

Darry Sragow, strateg demokrat në Kaliforni, parashikoi se kandidatët demokratë “kanë për të patur shumë probleme”, në se nuk merren me trajtimin e çështjeve që lidhen direkt me votuesit.

Kandidati për në Kongres i demokratëve, Hans Keirstead, i cili do të përballet në zgjedhjet për në Kongres me republikanin Dana Rohrabacher në Kaliforni, i tha “Politico-s”, se “Rusia nuk është përmbajtja e fushatës së demokratëve, por vetëm parathënia”.

Megjithatë, debati për Rusinë mbetet një çështje e nxehtë për shumë demokratë dhe ka nxitur reagime të ashpëra në mesin e ligjvënësve republikanë. Kryetari i Komsionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes, i ka këshilluar politikanët “të mos kërkojnë në dollap për fantazma ruse”, ndërsa senatori Rand Paul e cilësoi hetimin për Rusinë “një gjueti shtrigash”.

Në përpjekje për të siguruar përsëri mbështetjen e votuesve nga shtresa e punonjësve, një pjesë e të cilëve votuan për zotin Trump në nëntor, muajin e kaluar demokratët bënë të njohur një politikë të re, të njohur si
“marrëveshja më e mirë”, që përfshin propozime për çështje të tilla, si krijimi i vendeve të punës dhe çmimi i ilaçeve.

Përveç disa proçeseve hetimore të Kongresit, FBI-ja po heton veças lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje të fshehtë me Rusinë, në përpjekje për të ndikuar tek zgjedhjet e 2016-ës, në favor të zotit Trump. Presidenti Trump vazhdimisht ka mohuar të ketë patur një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, duke e cilësuar hetimin e FBI-së “gjueti shtrigash”.

Anketat e ditëve të fundit tregojnë se votuesit janë shumë dyshues për lidhjet e zotit Trump me Rusinë, por ata njëkohësisht janë të lodhur me hetimin e vazhdueshëm të FBI-së.

Ndërkohë, Presidenti Trump filloi të premten pushimet verore në klubin e tij të golfit në qytezën Bedminister, të Nju Xhërsit. Shtëpia e Bardhë tha se pushimi 17-ditor i Presidentit ka për të qenë një pushim duke punuar, i cili është i nevojshëm, ndërsa në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë është duke u ndërruar sistemi i ngrohjes dhe i ajrit të kondicionuar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat