Tillerson: Për të treguar gadishmëri për bisedime, Koreja të ndalë provat

Amerika

Tillerson: Për të treguar gadishmëri për bisedime, Koreja të ndalë provat

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 16:37
Rex Tillerson

Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson tha sot se hapi më i mirë që Koreja e Veriut mund të ndërmerrte për të sinjalizuar se është gati për dialog, do të ishte ndalimi i provave me raketa.

Zoti Tillerson foli për gazetarët në Manila, ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin Rajonal të Vendeve të Azisë Juglindore.

Sipas tij votimi njëzëri i së shtunës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për miratimin e sanksione të reja kundër Koresë së Veriut si përgjigje ndaj provave me raketa balistike, dërgon mesazhin se e gjithë bashkësia ndërkombëtare i sheh veprimet e vendit të papranueshme dhe se pritshmëritë e tyre janë një gadishull Korean i çnuklearizuar.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut Moon gjatë një bisede telefonike u angazhuan të zbatojnë plotësisht të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me Korenë e Veriut dhe të "nxisin bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë të njëjtën gjë"./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat