27 të arrestuar pas protestave në Boston

Amerika

27 të arrestuar pas protestave në Boston

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 07:50
Boston

Rreth 40 mijë njerëz dolën dje në rrugët e Bostonit, në shtetin Masaçusets, për të protestuar kundër një tubimi të “lirisë së fjalës” ku ligjëruan persona të djathtë dhe të pikëpamjeve konservatore. Zyrtarët e qytetit druheshin se dy tubimet rivale do të bëheshin të dhunshme, siç ndodhi gjatë fundjavës së kaluar në Charlottesville, ku një grua humbi jetën pasi një nacionalist i bardhë goditi me makinë një grup kundërprotestuesish. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Pressuti, ishte në Boston për të pasqyruar të gjitha zhvillimet e atjeshme.

Në Boston u zhvilluan dje paralelisht dy tubime rivale.

Në njërën anë, një turmë e madhe liberalësh, në mbështetje të diversitetit dhe duke denoncuar me zemërim gjithçka tjetër.

“Këta janë derra fashistë që nuk duhet të ndodhen në komunitetet tona”, thotë kundërprotestuesi James Patin.

“Kam dalë sot që t’u them nazistëve të kthehen mbrapsht në vrimat nga kanë dalë”, thotë kundërprotestuesja Kate Losey.

Këta qindra kundërprotestues janë nga grupime të ndryshme, por mbështesin kryesisht të njëjtat ide. Momentalisht, policia nuk është e shqetësuar për ta, por për momentin kur do të mbërrijnë në destinacion dhe të përballen me njerëzit me pikëpamje të kundërta.

Por, ajo çfarë panë kur mbërritën përpara bashkisë së Bostonit, ishin vetëm rreth 30 folës të djathtë të mbledhur për atë që e quajnë një tubim të “fjalës së lirë”. Ata e mohojnë se janë neonazistë, të Ku Klux Klan-it, apo supremacistë të bardhë dhe thonë se e organizuan tubimin për të mbrojtur kushtetutën. Kundërprotestuesit nuk dëgjuan megjithatë asnjë prej fjalimeve të tyre. Policia i mbajti grupet të veçuara nga njëri-tjetri.

Andrew, i cili thotë se është libertarian, erdhi për të mbështetur grupimin konservator, por thotë se nuk mundi të arrijë pranë podiumit. Ai fajëson policinë që ngriti barriera duke cënuar kështu lirinë e fjalës.

“Duket sikur dëshironin një spektakël gjatë të cilit një turmë njerëzish u bërtasin një grupi të vogël, në vend që të lejonin njerëzit që i mbështesnin të shkonin pranë tyre”,thotë libertariani Andrew.

Ndërsa përfundoi tubimi i fjalës së lirë, policia e Bostonit shoqëroi me masa sigurie konservatorët e paktë përmes turmës jomiqësore shumë më të madhe. Megjithatë, pati disa përplasje të tensionuara, ndërsa kundërprotestuesit u konfrontuan me persona që patën dalë për të mbështetur tubimin e fjalës së lirë.

“Jam kundër qeverisë që u mundua ta mbyllë këtë tubim. Nuk kam asnjë pikëpamje ideologjike”, u thotë mediave një ndër mbështetësit e tubimit të fjalës së lirë.

Ndërsa turma u shpërnda... dikush ngre pyetjen nëse u arrit diçka.

“Kjo ishte e mrekullueshme, por e dimë se ka shumë më tepër racizëm sistematik që nuk zhbëhet dot nëpërmjet vetëm marshimit dhe daljes së njerëzve së toku”, thotë një kundërprotestuese.

Por, dita nuk kishte mbaruar ende. Konfrontimet vazhduan nga parku... dhe deri në rrugët përreth.

Mbrëmja përfundoi me dhjetëra arrestime dhe me policinë të veshur me pajisje mbrojtëse.

Vendi vazhdon të jetë i trazuar dhe i përçarë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat