SHBA, Patrullimi i kufirit jugor

Amerika

SHBA, Patrullimi i kufirit jugor

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 22:48
ilustrim

Premtimi i presidentit Donald Trump për të ndërtuar murin në kufirin SHBA-Meksikë ka gjasa të shkaktojë një ngërç për buxhetin kur Kongresi t’i kthehet punës në shtator, ndërsa demokratët dhe disa republikanë debatojnë nëse ia vlen të shpenzohen 1.6 miliardë dollarë për ndërtimin e murit. Muri është 2,700 kilometra larg nga ndërtesa e Kongresit – në terrenin e larmishëm kufitar të Del Rios në Teksas. Megjithatë forcat e zbatimit të rendit dhe banorët thonë se çështja është edhe më e komplikuar nga sa e kupton Uashingtoni. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson ndoqi agjentët e Patrullës Kufitare për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje.

Rio Grande – është lumi që ndan dy vendet…

“Është shumë e lehtë të arrish lumin në anën e Meksikës. Është shumë i cekët.”

Cory Maddox ka parë imigrantë të paligjshëm tek përpiqen ta kalojnë atë në mënyra të ndryshme…?

“Përdorin barka, përdorin kuaj apo tuba. Ose thjesht notojnë.”

Shumica drejtohen nga kontrabandistët që i njohin mirë shtigjet.

“Ata e bëjnë këtë prej një kohe të gjatë. I dinë vendet ku kalohet.”

Patrulla Kufitare vëzhgon nga pikat e vrojtimit në lartësi. Por kallamat e trashë që mbulojnë zonën më poshtë janë të pabesë, pasi shtrihen në një sipërfaqe prej 3 kilometrash nga gardhi ekzistues.

Lumi Rio Grande që ndan Shtetet e Bashkuara nga Meksika është vetëm një nga zonat ku shkojnë agjentët e Patrullës Kufitare – ata ndjekin gjithashtu kontrabandistët e drogës në shkretëtirë dhe kryejnë misione kërkim-shpëtimi në kanionet që rrethojnë lumin Pecos.

Kanionet dhe shkretëtira përvëluese – funksionojnë aq mirë sa edhe një mur.

“Nuk është i njëjti kufi kudo, dhe ajo që është zgjedhja e duhur në një zonë mund të mos jetë e duhura pak metra më larg.”

Matthew Hudak thotë se problemi i sigurisë së kufirit nuk mund të zgjidhet lehtë.

“Edhe me infrastrukturë, do të duhet shumë personel për ta patrulluar”.

Gardhet funksionojnë mirë në zonat urbane por në mes të shkretëtirës…sytë dhe veshët janë diktuesit më të mirë.

“Nuk është e thjeshtë – kjo është një nga zonat më të vështira për të diktuar njerëzit”.

Është terreni që e ndryshon debatin rreth një muri të vazhdueshëm, thotë sherifi i zonës.

“Në qarkun tim, nuk mendoj se kemi nevojë për një mur të pandërprerë”.

Sherifi Joe Frank Martinez thotë se këtu nuk ka rrezik dhe se presidenti Trump do të shihte një realitet ndryshe nëse shkonte në zonë.

“Njerëzit duhet të vijnë e ta shohin kufirin në mënyrë që të dinë çfarë flasin”.

Disa banorë në Del Rio megjithatë, besojnë se presidenti Trump e kupton këtë realitet…

“Nëse ai ka aq intuitë sa të bëjë një perandori 9 miliardë dollarëshe me ndërtime në qendër të Nju Jorkut, ka aq intuitë sa të dijë ku të ndërtojë një mur”.

...edhe pse premtimi i zotit Trump për të ndërtuar një mur të pandërprerë vazhdon të debatohet në Uashington.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat