Trump është takuar me personat e prekur nga vërshimet

Amerika

Trump është takuar me personat e prekur nga vërshimet

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 11:51
Pamje e autostradës së vërshuar nga uji gjatë uraganit Harvey në Hjuston të Teksasit

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje është takuar me të prekurit nga vërshimet masive, që e kanë përfshirë qytetin Hjuston, duke i përqafuar fëmijët dhe duke vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve federale, shtetërore dhe lokale, ishte “fantastik”.

Zoti Trump ka arritur në qytetin Hjuston, që është i katërti më i madhi në Shtetet e Bashkuara, me Zonjën e Parë, Melania Trump, në kuadër të ditës së dytë të vizitës në Teksas, prej se uragani Harvey, e ka goditur këtë territor më 25 gusht.

Presidenti Trump tha se ka parë “shumë dashuri” dhe “shumë lumturi” derisa i ka vizituar viktimat e stuhisë së fuqishme, nga e cila janë zhvendosur më se një milion njerëz.

Kjo stuhi, që ishte më e fuqishmja që e ka goditur shtetin Teksas në më tepër se pesë dekada, ka shkaktuar shumë dëme në disa pjesë të Hjustonit, ku vërshimet e kanë paralizuar këtë qytet.

Duke i cituar zyrtarët lokalë, e përditshmja, Huston Chronicle, ka raportuar se numri i të vdekurve nga kjo stuhi është më tepër se 50 vetë.

Kjo stuhi natyrore ka shkaktuar dëmë prej miliarda dollarësh, prandaj Shtëpia e Bardhë ka kërkuar 7.85 miliardë dollarë nga Kongresi, për përpjekje të ripërtritjes.

Gjatë vizitës së tij të djeshme, presidenti Trump tha se shpreson se Kongresi i Shteteve të Bashkuara do ta miratoj kërkesën për mbështetje financiare me procedurë të shpejtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat