Meksikë: 226 viktima nga tërmeti në Meksikë

Amerika

Meksikë: 226 viktima nga tërmeti në Meksikë

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 06:27
Ekipet e shpëtimit, policët, vullnetarët e të tjerët, duke gjurmuar për të mbijetuarit apo për trupa të pajetë pas tërmetit të djeshëm shkatërrues në Meksikë

(E plotësuar) - Bilanci i viktimave në Meksikën e tronditur brenda pak javësh nga një tërmet i dytë i dhunshëm ka mbërritur në 226.

Me dhjetëra ndërtesa janë shembur në kryeqytetin Mexico City nga lëkundjet e magnitudës 7,1 të shkallës Rihter. Shkatërrimi i një shkolle, nga sa pohoi vetë presidenti Enrique Pena Nieto, i ka marrë jetën 20 fëmijëve, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur.  

“Është një shkollë në jug të qytetit, një shkollë private, pjesa më e madhe e së cilës është rrënuar sërish. Për fat të keq, kanë humbur jetën fëmijë të vegjël që nga klasa e parë e shkollës fillore. 22 trupa janë gjetur deri tani atje, dy janë të rritur. Me dhjetëra fëmijë nuk gjenden ende. E

kipet e emergjencës janë angazhuar maksimalisht në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Në atë zonë janë zhvendosur më shumë se 500 persona, ushtarë e marinsë”, tha Presidenti i vendit.  

Punonjësit e shpëtimit kanë përdorur gjatë natës prozhektorët për të kërkuar në gërmadha. Tërmeti erdhi pikërisht në kohën kur shumë njerëz ishin duke marrë pjesë në një simulim situate nga luhatjet e tokës pikërisht në 32-vjetorin e tërmetit që vrau me mijëra vetë në Mexico City.  

Fatkeqësi të tilla natyrore nuk janë të pazakonta për Meksikën, që më herët gjatë këtij muaji u godit nga tërmet i magnitudës 8,1 që shkaktoi megjithatë më pak të vdekur sesa ky i fundit (90 vetë). Epiqendra këtë radhë ka qenë në afërsi të Atencingo, në shtetin e Pueblas, rreth 120 km nga kryeqyteti dhe në 51 km thellësi. Në rrethinat e Mexico City jetojnë rreth 20 milionë banorë. 

Ka raporte ende të pakonfirmuara se në jug të tij, në Kuernavaka, ka banorë të mbetur nën rrënoja.  Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Tëitter; "Zoti i bekoftë qytetarët në Mexico City. Jemi me ju dhe do të jemi aty për ju".  Tërmetet që kalojnë mbi 7 shkallë vlerësohen si mjaft të rënda dhe me fuqi të madhe shkatërruese.

***

Nga tërmeti i fuqishëm që e ka goditur dje Meksikën, janë vrarë 149 vetë, kanë thënë autoritetet.

Ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët në kryeqytetin Meksiko Siti, me 20 milionë banorë, po gjurmojnë nëpër gërmadhaa të ndërtesave të shkatërruara për të gjetur të mbijetuar eventualë dhe trupa të pajetë.

Koordinatori kombëtar për mbrojtje civile, Luis Felipe Puente, tha se së paku 149 njerëz janë vrarë, shumica prej tyre në Meksiko Siti dhe hapësirat në jug dhe në lindje të kryeqytetit, ku ishte epiqendra e tërmetit me intensitet 7.1 shkallë.

Përkujtimet për tërmetin shkatërrues në vitin 1985, nga i cili ishin vrarë 10 mijë njerëz në Meksiko Siti, kanë shkaktuar panik, prandaj shumë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Tërmeti i djeshëm ndodhi vetëm disa ditë pasi një tërmet tjetër, më 7 shtator, me intensitet 8.1 shkallë, me epiqendër në bregun e Meksikës, e goditi këtë vend, me ç’rast u vranë 98 persona.

***

Autoritetet në Meksikë thanë se mbi 100 veta humbën jetën nga pasojat e një tërmeti që goditi vendin.

Pasojat më të rënda ishin në shtetin Morelos, në jug të kryeqytetit, ku sipas autoriteteve humbën jetën 54 veta.

Në shtetin Puebla, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit prej 7.1 shkallësh, jetën e humbën të paktën 26 veta, tha guvernatori i këtij shteti.

Rreth 30 veta pësuan në kryeqytet, ndërsa nëntë viktima u regjistruan në shtetin Meksiko.

Tërmeti i së martës goditi në përvjetorin e tërmetit të vitit 1985 që la pas vetes mijëra të vdekur.

Më 7 shtator të këtij viti një tërmet në jug të Meksikës la pas vetes 98 viktima.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat