Urdhëri ekzekutiv për kufizimin e udhëtimeve në SHBA

Amerika

Urdhëri ekzekutiv për kufizimin e udhëtimeve në SHBA

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 06:10
ilustrim

Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë kufizime të reja se kush mund të hyjë në vend. Rregullat e reja mund të hyjnë në fuqi që të dielën, ditën kur skadon një pjesë e urdhërit të tanishëm ekzekutiv që kufizon udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë muslimane.

Kur urdhëri ekzekutiv i presidentit Donald Trump, që kufizonte udhëtimin e disa njerëzve në Shtetet e Bashkuara, hyri fillimisht në fuqi në janar, ai nxiti protesta nëpër aeroporte anembanë vendit. Një javë më vonë, një gjykatës federal bllokoi të ashtuquajturin “ndalim të udhëtimeve”, duke e dërguar atë nëpër gjykata të ndryshme, deri në qershor. Pastaj Gjykata e Lartë vendosi që urdhëri ekzekutiv mund të zbatohej, por udhëtarët nga gjashtë vendet e ndaluara mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nëse ata kanë lidhje familjare, biznesi apo shkolle.

“Gjykata e Lartë përfundimisht vendosi se urdhëri mund të hyjë në zbatim pjesërisht. Flitet për një pjesë shumë të vogël të popullsisë që fillimisht ishte objektivi i urdhërit ekzekutiv”, thotë David Bier i Institutit “Cato”.

Qëllimi ishte që urdhri ekzekutiv për kufizimin e udhëtimeve do të ishte i përkohshëm, duke i dhënë Departamentit të Sigurisë Kombëtare kohë për të mbledhur informacione dhe për të raportuar mbi shqyrtimin e udhëtarëve të huaj. Raporti iu dërgua kohët e fundit Shtëpisë së Bardhë, tani që kufizimi për udhëtarët nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni do të përfundojë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se standartet e reja për aplikantët e vizave nga vendet e ndryshme do të bazohen mbi gatishmërinë e vendeve të ndryshme për të vepruar sipas rregullave të sigurisë të Shteteve të Bashkuara. Edhe pse presidenti Trump nuk e ka njoftuar vendimin e tij, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare thonë se rekomandimi i tyre është më i rreptë dhe më specifik sesa urdhëri origjinal i ndalimit të udhëtimit.

“Ideja është se hyrja në Shtetet e Bashkuara nuk është një e drejtë që e ka çdokush. Është diçka që kërkohet” thotë avokati për imigracionin Leon Fresco.

Leon Fresco, avokat për Emigracionin nga Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës Obama, thotë se një ndalim i ri i udhëtimeve mund të jetë problematik, por kërkesa për kontrolle më të gjera mund të jetë më i justifikueshëm në gjykatë.

“Mund të shpjegohet se jemi të shqetësuar se disa vende që kanë probleme me ndarjen e informacionit nuk kanë aftësinë për të verifikuar qytetarët e tyre. Prandaj do të kontrollohen më gjatë aplikatët për viza nga vende të caktuara”, - shpjegon avokati Fresco.

Megjithëse një pjesë e urdhërit ekzekutiv skadon të dielën, mbeten edhe 30 ditë për ndalimin 120 ditor për ardhjen e refugjatëve. Dhe para kësaj, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet mbi kushtetutshmërinë e urdhërit ekzekutiv për kufizimin e udhëtimeve./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat