Republikanët e Senatit shtyjnë votimin për Obamacare

Amerika

Republikanët e Senatit shtyjnë votimin për Obamacare

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 17:17
SHBA

Në SHBA, republikanët dhe Presidenti Donald Trump pësuan një tjetër dështim dje për reformën e kujdesit shëndetësor. Republikanët e Senatit vendosën të shtynin një votim mbi propozimin e tyre të fundit për të shfuqizuar dhe zëvendësuar sistemin e tanishëm shëndetësor të quajtur Obamacare. Vendimi erdhi pasi një numër i vogël republikanësh thanë se do ta kundërshtonin projektligjin, duke e bërë të pamundur miratimin e tij kur të hidhej në votë në Senat.

Senatorët e zhgënjyer republikanë vendosën ta anulojnë votimin e planifikuar për këtë javë, pasi u bë e qartë se projekti i tyre për të shfuqizuar dhe zëvendësuar sistemin Obamacare ishte i destinuar të dështonte.

Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell komentoi kështu për gazetarët:

"Ne nuk kemi hequr dorë nga ndryshimi i sistemit amerikan të kujdesit shëndetësor. Nuk do ta bëjmë dot këtë javë, por çështja vazhdon të jetë përpara nesh”.

Vendimi erdhi pasi një pjesë e vogël e republikanëve, si Susan Collins e shtetit Maine, John McCain i Arizonës dhe Rand Paul i Kentakit lanë të kuptohej se do të votonin kundër.

Plani republikan u prit me protesta të reja. Dje, protestuesit ndërprenë një seancë dëgjimore në Senat.

Demokratët e Senatit e quajtën këtë një fitore. Ja se si komentoi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer:

"Projektligji Cassidy-Graham do të ishte një katastrofë e kujdesit shëndetësor. Amerikanët e kuptuan, u ngritën kundër tij, dhe kolegët tanë republikanë nuk kishin rrugë tjetër veçse ta tërhiqnin projektligjin.”

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump shprehu zhgënjim me rezultatin:

"Në një moment, shfuqizimi dhe zëvendësimi do të vijnë. Ne nuk e dimë nëse kjo do të ndodhë tani apo më vonë. Por jemi të zhgënjyer me disa të ashtuquajtur republikanë ".

Republikanët gjithashtu nuk arritën të shfuqizojnë dhe të zëvendësojnë sistemin Obamacare në fund të korrikut, kur Senatori McCain hodhi votën vendimtare duke u shprehur kundër.

Ky episod i fundit për kujdesin shëndetësor është një dështim politik për presidentin, thotë analisti John Hudak:

"Presidenti flet shumë për aftësitë e tij të menaxhimit dhe të negocimit, por në fakt nuk ka treguar se ka patur sukses në ndonjërën nga këto të dyja”.

Humbja në çështjen e kujdesit shëndetësor mund të dëmtojë gjithashtu shpresat e republikanëve për të fuqishuar shumicën që kanë në Kongres në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm, thotë Bill Galston:

"Mendoj se shqetësimi i vërtetë është për republikanët e kongresit, të cilët janë në rrezik të shkojnë tek zgjedhësit pa ndonjë gjë për të treguar sai përket një kontrolli të plotë dhe të unifikuar të qeverisë federale".

Por një nga mbështetësit kryesorë të projektligjit republikan, senatori Lindsey Graham, tha se ai dhe kolegët e tij do të përpiqen përsëri në muajt në vijim:

"Miqve të mi republikanë në të gjithë vendin u them se kemi ende shumë beteja për të bërë, si ne ashtu edhe ju.”

Presidenti dhe aleatët e tij republikanë në Kongres tani do të përqëndrohen në reformën e taksave, një tjetër premtim kryesor i fushatës nga zgjedhjet e vitit të kaluar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat