Dorëheqja e Sekretarit të Shëndetësisë, Tom Price

Amerika

Dorëheqja e Sekretarit të Shëndetësisë, Tom Price

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 08:45
Tom Price

Presidenti Donald Trump është në kërkim të një sekretari të ri të shëndetësisë, në vendin e Tom Pricit, i cilin dha mbrëmë dorëheqjen, pasi udhëtimet e tij me avionë të kushtueshëm ishin bërë shkak për hetime dhe kishin zemëruar Presidentin Donald Trump.

Zoti Price bëhet anëtari i parë i kabinetit të presidentit Trump që largohet nga posti në administratën e tij të re, ku deri tani janë shkarkuar një numër ndihmësish të lartë. Price kishte më pak se 8 muaj në detyrë.

Presidenti Donald Trump u kishte thënë bashkëpunëtorëve se sekretari i tij i shëndetësisë ishte bërë objekt shpërqendrimi, duke hedhur hije mbi axhendën e tij si president dhe duke minuar premtimin e fushatës për të ''tharë moçalin'' e korrupsionit.

Tom Price shprehu keqardhje për çështjen dhe të enjten ofroi të dëmshpërblente pjesërisht shpenzimet, por kjo nuk e zbuti zemërimin, veçanërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe disa sekretarë të tjerë të kabinetit janë përpjekur të shpjegojnë fluturimet e tyre me avionë privatë çarter, ndërkohë që një komision i Kongresit tha se do të vazhdojë hetimin e çështjes së udhëtimeve për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Presidenti Trump ka caktuar Don J. Wright, një nga zëvendësit e Sekretarit të Shëndetësisë në postin që bante zoti Price./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat