SHBA: java e librave të ndaluar thekson lirinë e të lexuarit

Amerika

SHBA: java e librave të ndaluar thekson lirinë e të lexuarit

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 06:14
Ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara ishte java e librave të ndaluar, një ngjarje e përvitshme që nga njëra anë nxjerr në pah censurën dhe në anën tjetër thekson lirinë për të lexuar. Në Uashington, sistemi i librarive publike fsheh nëpër qytet me qindra kopje të 6 librave që gjatë një viti mund të jenë ndaluar, apo nuk lejohen në disa biblioteka, ose shkolla amerikane. Njerëzit që i gjejnë këto libra, mund t'i marrin ato në shtëpi, falas.

Në librainë Duende në Uashington, Katie Schwartz ka ardhur me një mision: të plotësojë koleksionin e 6 librave të ndaluar. Ato janë të mbështjella me letër të zezë dhe janë fshehur diku, në mesin e librave të tjerë që janë në shitje.

“Kur hyra këtu, kisha katër libra të ndaluar, pra më duheshin edhe dy të tjerë. Të parin që hapa, vura re që nuk e kisha parë në asnjë vend tjetër,"- thotë Katie.

Meqenëse në Washington nuk ndalohet asnjë libër, Katie Schwartz e ka të vështirë ta besojë që një gjë e tillë ndodh në Shtetet e Bashkuara.

“Është një e drejtë e amerikanëve, që ta thonë fjalën e tyre hapur, kur e shohin vetë të arsyeshme. Po ashtu është e drejta e tyre të shmangin gjërat që nuk i duan. Librat janë diçka që mund t'i shmangësh shumë lehtë, nëse s'të pëlqejnë", - thotë Katie.

Lyric Prince gjeti “Fahrenheit 451,” një roman fantastiko-shkencor, në mesin librave të ndaluara me ligj në shoqërinë amerikane që nëse gjenden, digjen nga zjarrfikësit. Disa njerëz psh janë kundër blasfemisë së djegies së Biblës në libër.

Prince nuk habitet aspak, që disa libra si ky, i botuar më tepër se 60 vjet më parë, sot përsëri janë të ndaluar.

“Në vendin tonë ka zona ku njerëzit nuk janë të hapur ndaj ideve të avancuara,"- thotë Prince.

Në një bibliotekë të Washingtonin, Linnea Hegarty, Kryetare e Fondacionit të Bibliotekave Publike të kryeqytetit amerikan, thotë se këto ide mund të jenë për çështje politike, ose orientimin seksual.

“Familjet me dy baballarë, apo me dy mama, për shembull. Po ashtu, shpesh libra për luftën shpesh ndalohen, sidomos kur flasin për çështjet politike që shkaktojnë luftën,"- thotë ajo.

Mes grupeve që sponsorizojnë Javën e Librave të Ndaluar, është Shoqata Amerikane e Bibliotekave, që nxjerr një listë me 10 librat më të ndaluar, ata që nuk lejohen përmes një përpjekjeje zyrtare dhe hiqen nga qarkullimi në bibliotekat, apo programet mësimore në shkolla.

Julius Jefferson Jr. punon për Komitetin e Lirisë Intelektuale të grupit.

“Disa nga temat lidhen për shembull me çështje të komunitetit LGBT, me racën, fenë. Shumica e librave të ndaluar janë të tillë, ngaqë kjo kërkohet nga prindërit, të cilët mendojnë se ata nuk janë të përshtatshëm për fëmijët e tyre,"- thotë Julius.

Ai thotë se Shoqata Amerikane e Bibliotekave është në dijeni se vitin e kaluar ka patur 250 libra të ndaluar. Por lajmi i mirë është se vetëm pak prej tyre nuk mund të gjinden./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat