Nate zbarkon në Luiziana, autoritetet kanë kërkuar evakuim

Amerika

Nate zbarkon në Luiziana, autoritetet kanë kërkuar evakuim

Më: 8 tetor 2017 Në ora: 15:22
Pamje nga Luiziana

Uragani Nate ka goditur shtetin e Luizianës me erëra që arrijnë një shpejtësi 137 km/h. Autoritetet kanë kërkuar që banorët në disa shtete amerikane përgjatë bregut jugor të evakuohen pasi stuhia i mori jetën të paktën 25 personave në Amerikën Qendrore. Sidoqoftë, sipas parashikimeve, kjo stuhi nuk pritet të ketë forcën e uraganëve të mëparshëm Irma e Maria.

Stuhia Nate ka sjellë erëra të forta, reshje të dendura shirash dhe përmbytje në Bregun e Gjirit të Shteteve të Bashkuara. Nate u përplas në Lumin e Misisipit në Luiziana si një uragan i kategorisë së parë me erëra deri në 137 km/h.

Pas një zbarkimi të dytë në Misisipi, Nate u zbut në një stuhi tropikale, por zyrtarët paralajmërojnë se rreziku ende nuk ka kaluar plotësisht. Kujtojmë se stuhia i mori jetën të paktën 25 personave në Nikaragua, Kosta Rika dhe Honduras.

Edhe pse Nate nuk ka fuqinë shkatërruese të uraganëve Irma dhe Maria, autoritetet lëshuan paralajmërime dhe urdhra për evakuim në Luiziana, Alabama, Misisipi dhe pjesë të Floridas.

Presidenti Donald Trump më herët lëshoi një deklaratë emergjence për Luizianën, duke i lejuar shtetit të kërkojë ndihmë ferderale në përgatitje dhe me gjasa në përpjekjet e shpëtimit.

Ndërkaq, guvernatori i Alabamas ka nxitur banorët në zonat që po përballen me stuhi të fuqishme të marrin masat e duhura.

Pesë porte përgjatë Bregut të Gjirit janë mbyllur si masë paraprake, ndërkohë që shumica e platformave të gazit dhe naftës në Gjirin e Meksikës kanë evakuuar stafin e tyre dhe kanë ndalur prodhimin përpara stuhisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat