Thellohet skandali i producentit Harvey Weinstein - Bota Sot
Thellohet skandali i producentit Harvey Weinstein

Amerika

E diel, 17 dhjetor 2017

Thellohet skandali i producentit Harvey Weinstein

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 18:51
Harvey Weinstein

Skandali i ngacmimeve seksuale që ka në qendër një nga producentët më të fuqishëm të Hollivudit, Harvey Weinstein u thellua më tej këtë javë kur në një artikull botuar në revistën “The New Yorker”, akuzohej zoti Weinstein për përdhunimin e tri grave.

Aktoret Asia Argento dhe Lucia Evans deklaruan publikisht për revistën “The New Yorker” se producenti Weinstein i kishte përdhunuar, ndërsa një grua tjetër foli në kushtet e anonimitetit.

Revista shkruan se 13 gra kanë akuzuar zotin Weinstein se i kishte ngacmuar seksualisht dhe se i kishte sulmuar ato.

Për disa nga këto akuza ishte njoftuar më parë në gazetën “The New York Times”, e cila shkruante për tetë pretendime për sulme seksuale kundër zotit Weinstein. Të gjitha këto akuza u zgjidhën me marrëveshje financiare.

Revista “The New Yorker” ka publikuar gjithashtu një inçizim që është bërë gjatë një operacioni të policisë në Nju Jork në vitin 2015. Në atë regjistrim, Weinstein i lutet modeles Ambra Battilana Gutierrez, që të shkojë në dhomën e tij të hotelit.

Modelja Ambra Battilana Gutierrez: "Dje më preke në gjoks”.

Harvey Weinstein: "Oh të lutem, më vjen keq. Të lutem eja. Jam mësuar me këto”.

Modelja Ambra Battilana Gutierrez: "Je mësuar?"

Harvey Weinstein: "Po, hyr brenda."

Po këtë javë, një nga akuzueset e producentit, ish-aktorja dhe skenaristja Louisette Geiss, u tregoi gazetarëve për një takim me producentin në vitin 2008.

"Shkuam në zyrën e tij dhe patëm një bisedë të frytshme për filmin me të cilin ai po punonte dhe një film që unë doja të realizoja. Dukej se ishte vërtet i interesuar dhe unë isha entuziaste. 30 minuta më pas, ai kërkoi falje dhe shkoi në banjë. Kur u kthye kishte vetëm një robdishan të hapur nga përpara dhe asgjë tjetër. Kur unë mbarova së foluri për filmin, natyrisht isha shumë nervoze dhe ai kërkonte me këmbëngulje ta shihja ndërsa masturbohej”.

Weinstein ka qenë dhurues shumash të mëdha për politikanët demokratë, përfshirë ish-kandidaten për presidente Hillary Clinton dhe ish-presidentin Barack Obama

Zonja Clinton foli disa ditë pasi doli artikulli, duke thënë se ishte “e tronditur dhe e skandalizuar nga lajmet për Harvey Weinsteinin." Edhe zoti Obama i dënoi veprimet e tij./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test