SHBA: Priten akuzat e para lidhur me hetimin për Rusinë

Amerika

SHBA: Priten akuzat e para lidhur me hetimin për Rusinë

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 11:23
Robert Mueller

Hetimet lidhur me përzierjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, do të hyjnë në një fazë të re gjatë ditës së sotme, pasi priten akuzat dhe arrestimet e para.

Një porotë e madhe federale në fund të javës së kaluar e ka miratuar padinë, ndërsa një gjyqtar federal ka urdhëruar mbajtjen e saj sekrete, ka thënë një burim që ishte i afërt me këtë çështje dhe ka paralajmëruar se ajo mund të shpallet së shpejti.

Ky zhvillim mund të shënojë një kthesë dramatike në hetimin e këshilltarit special, Robert Mueller, për dyshimet për ndërhyrjen ruse në garën presidenciale amerikane të vitit të kaluar dhe për lidhjet eventuale të mundshme të zyrtarëve të fushatës së presidentit, Donald Trump.

Hetimi për Rusinë e ka hedhur nën hije presidencën nëntë mujore të zotit Trump dhe i ka zgjeruar përçarjet partiake ndërmjet republikanëve dhe demokratëve.

Agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në muajin janar të këtij viti, patën konkluduar se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje, në përpjekje për ta ndihmuar Trumpin që t’i shkaktojë disfatë kandidates demokrate, Hillary Clinton, me hakerizëm, duke publikuar emaila komprometues dhe duke përhapur propagandë në mediat sociale për ta diskredituar atë.

Sipas burimeve të afërta me këtë proces, Robert Mueller, ish-drejtor i agjencisë FBI, ka zhvilluar hetime për lidhjet e mundshme ndërmjet ndihmësve të Trumpit dhe qeverive të jashtme dhe për pastrim potencial të parave, mospagesë të taksave dhe krime të tjera financiare.

Ai, po ashtu, ka bërë hetime lidhur me çështjen nëse Trump ose bashkëpunëtorët e tij janë përpjekur për ta penguar hetimin.

Mueller është emëruar për ta udhëhequr hetimin, një javë pasi presidenti, Donald Trump, më 9 maj e ka shkarkuar drejtorin e agjencisë FBI, James Comey, i cili e udhëhiqte hetimin federal për marrëveshje të fshehtë të mundshme me Rusinë. Fillimisht zoti Trump tha se e ka shkarkuar drejtorin Comey për shkak se udhëheqja e tij në FBI nuk ishte adekuate.

Në një intervistë të mëvonshme në rrjetin NBC, ai si shkak për shkarkim e ka cituar “çështjen ruse”.

Donald Trump i ka hedhur poshtë akuzat për marrëveshje të fshehtë me rusët dhe hetimin e ka quajtur “gjueti të shtrigave”. Presidenca e Rusisë, po ashtu, i ka hedhur poshtë akuzat.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti Trump është përpjekur ta ndryshoj fokusin dhe të kaloj te demokratët dhe zonja Clinotn, derisa në rrjetin Twitter ka shkruar se çështja ruse është shfrytëzuar për ta evituar synimin e republikanëve për reformë të taksave dhe duke i lavdëruar republikanët për “zemërim dhe unitet” për nevojën që të shikohet nëse demokratët dhe fushata Clinton kanë paguar për një pjesë të dosjes ku detajizohen akuzat për lidhjet e Trumpit me Rusinë.

Këshilltari special i Shtëpisë së Bardhë, Ty Cobb, tha se postimet e presidentit në Twitter “nuk janë të ndërlidhura me aktivitetet e këshilltarit special, me të cilin ai vazhdon të bashkëpunojë”.

Hetuesit e udhëhequr nga Robert Mueller e kanë invervistuar ish-shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ish-zëdhënësin, Sean Spicer, dhe zyrtarët e tashëm dhe të dikurshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe të fushatës.

Në muajin korrik, agjentët e FBI-së e kanë bastisur shtëpinë në Virxhina të ish-menaxherit të fushatës Trump, Paul Manafort, derisa aktivitetet e tij financiare dhe të patundshmërive dhe puna e mëparshme për një parti politike proruse në Ukrainë, po hetohen nga ekipi i zotit Mueller.

Mueller, po ashtu, ka zhvilluar hetime edhe ndaj personit, Michael Flynn, dikur këshilltar i fushatës Trump dhe më vonë këshilltar për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Flynn ishte shkarkuar nga posti i tij në administratën Trump, pasi e kishte keqinformuar zëvendëspresidentin, Mike Pence, për përmbajtjen dhe gjërësinë e bisedimeve të tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak, gjatë vitit të kaluar.

Padia në hetimin Mueller së pari ishte raportuar nga rrjeti CNN, i cili ka thënë se personi apo personat e shënjestruar mund të arrestohen gjatë ditës së sotme.

Kjo mundësi ka shkaktuar që disa aleatë konservatorë të Trumpit të kërkojnë shkarkimin e Muellerit.

Sebastian Gorka, ish-këshilltar i cili është larguar nga Shtëpia e Bardhë në muajin gusht, ka shkruar në rrjetin Twitter se Mueller “do të duhej të zhveshej nga autoriteti i tij” dhe kundër tij të zhvilloheshin hetime nëse ai ekzekuton fletarreste.

Gjatë periudhës së verës, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump nuk ka qëllim ta shkarojë Muellerin, megjithqë ai e ka vënë në pikëpyetje paanësinë e tij.

Republikanët, po ashtu, e kanë kritikuar rrjedhjen e informacioneve në media për padinë dhe e kanë shtruar mundësinë se ata që janë përgjegjës për këtë gjë të ndiqen penalisht.

Por, senatori republikan, Rob Portman, i tha rrjetit NBC se Trump ishte “shumë defensiv” për hetimin për Rusinë dhe se do të duhej të ekzistonte një indinjatë më e gjërë për përpjekjen për ndërhyrjen ruse./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat