Një vështrim pas tek lufta e gjatë me drogën në SHBA

Amerika

Një vështrim pas tek lufta e gjatë me drogën në SHBA

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 21:00
Oficerë të Rojes Bregdetare të SHBA-së, pas kapjes së 8 tonëve kokainë në ujëra ndërkombëtare në vitin 2016

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një valë të pashembullt, vdekjeprurëse mbidozash të opioidëve dhe barnave me recetë. Kriza e drogave vjen afro 50 vjet pasi qeveria shpalli një “Luftë ndaj Drogës”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Chris Simkins i hedh një vështrim Luftës ndaj Drogës dhe gabimeve të së kaluarës që ekspertët thonë se nuk duhet të përsëriten në këtë betejë të re kundër abuzimit me opioidet.

Riçard Niksoni shpalli “Luftën kundër drogës” në vitin 1971:

"Për të luftuar dhe fituar ndaj këtij armikut, është e nevojshme që të ndërmarrim një ofensivë nga të gjitha frontet”, deklaroi Presidenti Nikson.

Që atëherë çdo president ka shpallur një luftë të tillë.

“Drogat po kërcënojnë shoqërinë tonë. Po vënë në rrezik vlerat tona dhe po vrasin fëmijët tanë”, - deklaronte Presidenti Regan në vitin 1985.

Tani, Presidenti Donald Trump po përballet me një lloj tjetër lufte ndaj drogës, një tregues se sa e vështirë është bërë kjo betejë.

“Vdekjet nga mibidoza nga opioidët pothuajse janë katërfishuar që nga viti 1999. Ne duam ta luftojmë varësinë nga droga dhe abuzimin me opioidët”, u shpreh Presidenti Trump.

Për dekada me radhë, udhëheqësit politikë i rritën përmasat dhe praninë e agjencive federale për kontrollin e drogave.

"Lufta kundër drogës ishte dikur e përqendruar tek ana e furnizimit: si të frenojmë hyrjen e drogës në vend, si ta shmangim? Ideja atëherë ishte se nëse njerëzit nuk i sigurojnë dot drogat, nuk mund t’i përdorin dot”, - thotë Becky Vaughn, specialiste për trajtimin dhe parandalimin e drogës.

Miliarda dollarë financuan operacione ushtarake në Meksikë dhe në Amerikën e Jugut kundër karteleve të drogës, trafikantëve dhe kontrabandistëve që po bënin qindra miliona dollarë fitime nga shitja e kokainës, heroines dhe drogave të tjera në Shtetet e Bashkuara.

"Ne po përpiqemi të krijojmë një ndryshim të madh në qëndrimin e vendit, përfundimisht do të bëjë dallimin mes drogës dhe blerësit”, tha në vitin 1986, Presidenti Ronald Reagan.

Ishte një betejë përzgjedhëse. Ndërsa CIA po mbështeste me fonde rebelët Contra në Nikaragua, ata po fusnin kontrabandë mijëra kilogramë kokainë në Shtetet e Bashkuara.

Hyrja e sasive të mëdha të drogës, shkaktoi lloje të tjera varësish, si thithja e kokainës në një formë më të rrezikshme “crack”.

"Ky është truri. Dhe ky është truri nën ndikimin e drogës. Keni pyetje?", thuhej në një njoftim për publikun të titulluar "Truri nën Ndikimin e Drogës".

Por reklama të tilla, dhe fushata si “Thuaji ‘Jo’ Drogës”, nuk luajtën ndonjë rol të madh për të ndihmuar ata që e kishin krijuar varësinë. Dhe alternativat për trajtim ishin të kufizuara.

"Kur flasim për epidemi dhe krizë në vend, ne zakonisht e kemi fjalën për rastet e vdekjeve”, thotë zonja Vaughn.

Qeveria u përqendrua tek dënimet e detyrueshme, dhe burgu u bë normë për përdoruesit.

"Para 20-30 vjetësh, kishim një strategji që përqendrohej tek rendi dhe për fat të keq ata që kishin çrregullime nga abuzimi me drogën arrestoheshin, në vend që të trajtoheshin”, thotë Patrice Harris, e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.

Në vitin 2009, qeveria tha se mbi 1.3 milionë vetë, ishin arrestuar në Shtetet e Bashkuara në lidhje me drogën dhe një cerek milioni ishin në burg me akuza për drogë. Më shumë se gjysma ishin afrikano-amerikanë ose hispanikë dhe beteja ndaj drogës, mori një ngjyrim racor.

“Problemi i kokainës ‘crack’ ishte kryesisht i përhapur në lagjet afrikano-amerikane dhe ne u përpoqëm ta zgjidhnim me burgime. Epidemia e heroines prek më shumë të rinjtë e bardhë ose të rinjtë në përgjithësi dhe kjo mund të jetë arsyeja sepse po i përgjigjemi me trajtim”, thotë gjykatësja Jeri Cohen.

"Nuk mendoj se e vë njeri në dyshim se nuk e kemi fituar luftën ndaj drogës”, thotë David Scharf, i Zyrës së Sherifit të Distriktit Broward në Florida.

Në vitin 2011, 40 vjet dhe deri në një trilionë dollarë më pas, Komisioni Global për Poliitkën e Drogës e deklaroi të dështuar Luftën ndaj Drogës. Dhe shkak nuk ishte mungesa e fondeve. Aleanca e Politikave kundër Drogës, i kushtoi Shteteve të Bashkuara më shumë se një trilionë dollarë.

Që nga politikanët...

"Duhet të kemi një qëndrim që e vë theksin tek parandalimi, trajtimi dhe një model shëndetësor për pakësimin e përdorimit të drogës në vendin tonë”, shprehej ish-Presidenti Barack Obama.

Tek anëtarët e rendit...

"Ne e kuptojmë se strategjitë nga ndërhyrja, parandalimi dhe arsimi janë po aq të rëndësishme sa edhe rendi”, siç thotë sherifi Scharf.

...Tani mënyra e të menduarit ka ndryshuar. Opinioni publik po i largohet kriminalizimit dhe po e sheh epideminë e abuzimit me opioidet përmes lentes së krizës shëndetësore./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat