Ndihma amerikane për pakicat e persekutuara

Amerika

Ndihma amerikane për pakicat e persekutuara

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 06:25
ilustrim

Administrata e Presidentit Trump njoftoi një ndryshim mbi fondet për ndihmat e huaja që lidhen me pakicat e persekutuara. Nënpresidenti Pence tha gjatë një takimi global të të krishterëve se do i kërkohet Departamentit të Shtetit që fondetpër programet e Kombeve të Bashkuara për pakicat e persekutura tani t’u kalohen programeve të agjencisë amerikane për ndihma ndërkombëtare USAID dhe organizatave jo-qeveritare me përkatësi fetare. Materiali në vazhdim na njeh me ndikimin që pritet të ketë vendimi i administratës.

Administrata e Presidentit Trump thotë se vuajtjet e të krishterëve irakianë, Yazidi dhe pakicave të tjera që largohen nga dhuna e Shtetit Islamik, bëhet edhe më e rëndë nga paefektshmëria e ndihmave nga Kombet e Bashkuara.

“Kombet e Bashkuara kanë dështuar shpesh të ndihmojnë komunitetet më tëdobëta, e kryesisht pakicat fetare. Si rezultat, njerëz të panumërt vazhdojnë të vuajnë”, tha Nënpresidenti amerikan Mike Pence.

Ai njoftoi një hap të ri lidhur me objektivin e deklaruar të administratës për një politikë të jashtme amerikane që mbron të krishterët në mbarë botën.

“Duke filluar nga sot, Amerika do të ofrojë mbështetje direkte ndaj komuniteteve të persekutura përmes USAID-it”, tha zoti Pence.

Vendimi u përshëndet nga Chris Smith, ligjvënësi tejet i zëshëm në Kongresin amerikan për të drejtat e njeriut.

“E jashtëzakonshme. Vendim historik.”

Shqetësimet mbi sigurinë e të krishterëve në kampet e OKB-së kanë bërë që republikani Smith të kërkojë ndryshime për vite me radhë.

“Ata janë pakicë dhe rreziku vdekjeprurës që i pret ata në shumë prej këtyre kampeve është i tmerrshëm. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë anashkaluar shumë, megjithëse jo të gjithë, por shumë të krishterë që kanë nevoja për ushqim, strehë dhe ilaçe.”

Detajet janë në përpunim ndërsa zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se fondet do të vinin nga një burim i njohur.

“Kjo administratë, si edhe administratat e kaluara, nuk do të lërë pas dore financimin e organizatave jo-qeveritare me bazë fetare. OKB do të marrë disa fonde për këtë, por ne do të shikojmë për mënyra të tjera që janë më efikase për të dhënë fonde për pakicat fetare.”

Duke kundërshtuar vendimin, senatori demokrat Dick Durbin thotë se OKB plotëson një nevojë jetësore.

“OKB funksionon në vende ku ne nuk mund të shkojmë. Aty ku shpresojmë që nuk duhet të shkojmë. Të japim burime për Kombet e Bashkuara. Bëhet fjalë për ndihma humanitare bazë për njerëz që po vuajnë dhe vdesin”.

Zëdhënësi Farhan Haq tha se Kombeve të Bashkuara duhet të administrojnë ndihmat për të gjithë.

“Ndihma humanitare në Irak, si në raste të tjera, ofrohet në mënyrë të paanshme në bazë të nevojës më të madhe. Punonjësit do të vazhdojnë të japin ndihma mbi këtë bazë në përputhje me parimet humanitare".

Aktualisht, komuniteti i ndihmave ka më shumë pyetje se sa përgjigje.

“A është ky një sugjerim që do të ketë shtim fondesh? Nuk është e qartë. Ka një sugjerim që Shtetet e Bashkuara mund të marrin një rol më të madh nëse ndryshon ekuilibri”, thotë Katherine Marshall me Universitetin Xhorxhtaun.

Një ekuilibër i ri që mund të ndryshojë ndjeshëm rolin udhëheqës që Amerika ka luajtur prej dekadash në shërbim të të drejtave të njeriut./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat