Jeff Sessions: Nuk e kam gënjyer kongresin

Amerika

Jeff Sessions: Nuk e kam gënjyer kongresin

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 18:10
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions hodhi poshtë akuzat se ai ka gënjyer ligjvënësit, kur gjatë një dëshmie në muajin tetor, kishte thënë se nuk ishte në dijeni të asnjë kontakti mes njerëzve të fushatës zgjedhore të zotit Trump me operativë rusë. Sipas zotit Sessions, kaosi i fushatës zgjedhore presidenciale, ndikoi në faktin që atij nuk i kujtoheshin detaje mbi disa takime të zhvilluara gjatë vitit 2016.

Dje në komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve zoti Sessions tha se ai nuk kujtonte asgjë lidhur me takimin e vitit 2016 me ndihmësin e fushatës së zotit Trump, George Papadopoulos, deri në momentin që në media dolën lajmet se ishte ai që kishte drejtuar këtë takim. George Papadopoulos pati diskutuar mbi kontaktet e tij me njerëz që premtonin të organizonin një takim mes zotit Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

“Tani më kujtohet takimi i marsit 2016 në hotelin Trump, ku mori pjesë z. Papadopoulos, por nuk kam asnjë kujtim të qartë rreth detajeve të asaj që ai tha në atë takim. Pasi e lexova raportimin e tij në media dhe falë asaj që unë mund të kujtoj, besoj se desha t’i bëj të qartë atij, se nuk ishte i autorizuar për të përfaqësuar fushatën tek qeveria ruse apo tek ndonjë qeveri tjetër e huaj. Por nuk më kujtohej kjo ngjarje që kishte ndodhur 18 muaj përpara dëshmisë sime të disa javëve më parë. Me kënaqësi do ta kisha raportuar nëse do të më ishte kujtuar, pasi rrefuzova sugjerimet e tij, që mendova se ishin të papështatshme. Sa i takon z. Page, ndërsa nuk kundështoj atë çfarë ai kujton, nuk e mbaj mend që ai të ketë qenë i pranishëm në një darkë në klubin e Capitol Hill-it, apo të kem biseduar kalimthi me të ndërsa po largohej nga darka”, tha zoti Sessions.

Sipas zotit Sessions, kaosi i fushatës së zotit Trump ishte arsyeja pse ai nuk i kujtonte takimet me zotin Papadopoulos apo dhe takimin me zotin Carter Page, një tjetër ndihmës i zotit Trump.

Që nga paraqitja e tij më e fundit përpara një paneli të Kongresit në mesin e muajit tetor, u publikuan lajmet se zoti Papadopulos ishte deklaruar fajtor në fillim të tetorit se kishte gënjyer agjentët federalë që hetonin për lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Prej atij momenti zoti Papadopulos kishte pranuar të bashkëpunote me hetimin penal të prokurorit të posaçëm Robert Mueller-it.

Gjatë dëshmisë në kongres zoti Sessions mbrojti udhëzimin që u ka dhënë prokurorëve të lartë federalë për të shqyrtuar çështjet e ngritura nga ligjvënësit republikanë lidhur Hillary Clinton-in, sfidanten në zgjedhjet presideciale të zotit Trump. Ai tha se nëse do të ketë ndonjë hetim të ri ai do të zhvillohet " siç duhet dhe pa ndikim politik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat