Trump i del në krah kandidatit republikan Moore

Amerika

Trump i del në krah kandidatit republikan Moore

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 17:32
Donald Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump tani duket se po i del në krah kandidatit republikan për në senat Roy Moore, megjithë akuzat e ngritura kundër këtij të fundit nga disa gra. Ato e akuzojnë kandidatin nga Alabama për sjellje të papërshtatshme ndaj tyre disa dekada më parë, kur ato ishin adoleshente dhe ai në të tridhjetat.

Para se të nisej për në kompleksin e tij të pushimit në Florida për festën e Falënderimeve, zoti Trump theu heshtjen që mbante prej 12 ditësh për çështjen Moore, duke mos u kushtuar rëndësi akuzave të ngritura ndaj kandidatit republikan.

"Roy Moore i ka mohuar akuzat. Nëse shihni se ç’po ndodh realisht, nëse shihni atë që ka ndodhur gjatë 48 orëve, ai e mohon krejtësisht dhe thotë se ato gjëra nuk kanë ndodhur. Sepse ju duhet të dëgjoni edhe atë. Dhe ai thotë se para 40 vjetësh kjo nuk ka ndodhur,” tha zoti Trump.

Zoti Trump, i cili gjatë fushatës së tij për president gjithashtu u akuzua nga disa gra për sjellje të keqe seksuale, i peshoi me kujdes sfidat politike që lidhen me kandidatin Roy Moore. Ai theksoi rëndësinë e moslejimit të një demokrati për të fituar vendin në senat, por nuk shprehu publikisht mbështetje për zotin Moore.

Presidenti Trump tha se do të njoftojë javën e ardhshme nëse do të shkojë në Alabama për të bërë fushatë për zotin Moore, i cili është prapa rivalit të tij në sondazhet e opinionit. Nëse e mbështet zyrtarisht kandidatin Moore, kjo do të shënonte një kundërvënie të tij me udhëheqësit republikanë të Kongresit, të cilët kanë kërkuar publikisht që zoti Moore të largohet nga gara.

Republikanë të tjerë thonë se nëse zoti Moore fiton në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ata do të përpiqen menjëherë ta përjashtojnë atë nga Senati si njeri moralisht të papërshtatshëm për të qenë senator.

Zgjedhjet speciale për senatin në Alabama zhvillohen për të plotësuar vendin e lënë bosh nga zoti Jeff Sessions, i cili në fillim të vitit u emërua Prokuror i Përgjithshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat