Presidenti Trump bisedon me republikanët për reformën e taksave

Amerika

Presidenti Trump bisedon me republikanët për reformën e taksave

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 20:31
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe senatorët kryesorë republikanë

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe senatorët kryesorë republikanë u takuan të hënën lidhur me një përpjekje të re për të avancuar projektin e Senatit që rishikon ligjet komplekse të taksave.

Presidenti u ul për drekë me disa anëtarë të Komisionit të Senatit për Financat në prag të një sërë votimesh që do të bëhen në Senat gjatë javës mbi ndryshimet e propozuara në kodin e taksave.

Masat në fjalë, nëse miratohen, mund të ulnin normën e taksës së korporatave nga 35 në 20 përqind dhe të pakësonin taksat për miliona amerikanë, por jo të gjithë, në varësi nga rrethanat e tyre konkrete financiare.

Në një koment në Twitter, Trump tha se legjislacioni "po ecën shumë mirë dhe ka mbështetje të madhe. Me vetëm disa ndryshime, klasat e mesme dhe bizneset që prodhojnë vende punës mund të nxjerrin edhe më shumë kursime". Ai tha se “një propozim për taksat që prek bizneset e vogla do ta bënte gjithçka më të thjeshtë"!

Por ende është e pasigurtë nëse përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë dhe të zotit Trump për legjislacionin mbi taksat, do të jenë të mjaftueshme për miratimin e tij. Ndryshimet, nëse miratohen, do të ishin reforma më e madhe e taksave në tre dekada në SHBA.

Republikanët kanë një shumicë prej 52 kundrejt 48 në Senat, që do të thotë se ata nuk mund të kenë më shumë se dy senatorë të tyre kundër.

Asnjë demokrat nuk ka njoftuar se e mbështet projektin, ndërkohë që disa senatorë republikanë kanë shprehur kundërshtime ndaj dispozitave të veçanta, duke e vënë në dyshim mbështetjen e tyre përfundimtare.

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar tashmë versionin e saj të rishikimit të taksave, por kjo ndryshon në disa aspekte nga plani i Senatit. Nëse Senati e miraton propozimin, të dy dhomat do të duhet të arrijnë një marrëveshje para votimeve përfundimtare dhe pastaj t’ia dërgojnë projektin përfundimtar Presidentit Trump për ta nënshkruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat