Trump dhe Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit

Amerika

Trump dhe Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 20:16
Mick Mulvaney

Një gjyqtar federal në Uashington vendosi në favor të Presidentit Donald Trump në lidhje me përpjekjen e tij për të caktuar drejtorin e Shtëpisë së Bardhë për buxhetin Mick Mulvaney në postin e drejtorit të përgjithshëm të Byrosë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve (CFPB). Presidenti Trump komentoi në Twitter, duke e quajtur vendimin e gjyqtarit, "Një fitore e madhe për Konsumatorin!"

Gjyqtari, duke refuzuar t’ia ndalonte presidentit caktimin e zotit Mick Mulvaney në postin e drejtorit të përgjithshëm të Byrosë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve, vendosi kundër zëvendës drejtores së kësaj agjencie, Leandra English.

Avokati i zonjës English tha se po shqyrton alternativat ligjore dhe se së shpejti ata do të vendosin se "cilët do të jenë hapat e tyre të ardhshëm". Ai kërkoi një urdhër kufizimi urgjent për të ndaluar zotin Mulvaney të bëhej ushtrues i detyrës së drejtorit të agjencisë, duke pretenduar se ky post i takonte zonjës English.

"Unë do të vazhdoj punën dhe do të jem këtu derisa gjykata ose presidenti të marrë një vendim tjetër", tha zoti Mulvaney.

Mick Mulvaney, ish pronar i një biznesi të vogël dhe ish-ligjvënës, në të kaluarën e ka quajtur agjencinë një shaka "të sëmurë dhe të trishtuar" që duhet eliminuar.

Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve është e ngarkuar me mbrojtjen e konsumatorëve nga huatë grabitqare dhe praktikat e tjera të dyshimta nga kompanitë financiare, duke përfshirë bankat dhe mbledhësit e borxhit.

Republikanët, përfshirë zotin Mulvaney kanë thënë se agjencia ka pushtet të tepruar dhe i ngarkon bankat me shumë burokraci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat