DASH: Ligji i Moskës për 'agjentët e huaj' kërcënon mediat e lira në Rusi - Bota Sot
DASH: Ligji i Moskës për 'agjentët e huaj' kërcënon mediat e lira në Rusi

Amerika

E shtunë, 16 dhjetor 2017

DASH: Ligji i Moskës për 'agjentët e huaj' kërcënon mediat e lira në Rusi

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 20:17
Departamenti amerikan i shtetit

Departamenti amerikan i shtetit tha të martën se "legjislacioni i ri rus që i lejon ministrisë së Drejtësisë të përcaktojë mediat si "agjentë të huaj", dhe të mbikqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediet e lira në Rusi.

Ditë më parë presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi ligjin që i jep autoritet qeverisë për t'i konsideruar mediet që marrin fonde nga jashtë si "agjentë të huaj" dhe të vendosë sanksione kundër tyre. Ligji i ri u publikua të shtunën në gazetën zyrtare ruse në internet.

Ndonëse nuk janë dhënë hollësi se cilat janë kufizimet e mundshme, ligjvënësit rusë thanë se media mund të jetë subjekt i deklarimit të hollësishëm financiar dhe kërkohet që materialet e publikuara të cilësohen si prodhim agjentësh të huaj. Në listën e mediave që preken nga ligji rus janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, CNN dhe transmetuesi ndërkombëtar gjerman, Deutsche Welle.

Duke reaguar ndaj ligjit, Departamenti Amerikan i shtetit tha se "liria e shprehjes, përfshirë atë të fjalës dhe të medias që qeveria mund t'i cilësojë të papërshtatshme, janë një detyrim universal ndaj të drejtave të njeriut që Rusia është zotuar të mbështes".

"Shtetet e Bashkuara kanë nënvizuar në të kaluarën kërcënimin që paraqet ligji rus për 'agjentët e jashtëm', i cili është shfrytëzuar për të arsyetuar një varg bastisjesh, ngacmimesh dhe veprimesh ligjore që kanë penguar Organizatat Joqeveritare që të bëjnë punën e tyre. Zgjerimi i ligjit mbi 'agjentët e huaj' tek mediet hap derën për kërkesa të vështira që mund të mbysin më tej lirinë e shprehjes dhe pavarësinë editoriale në Rusi. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë ruse që të mos e përdorë legjislacionin për të kufizuar më tej veprimtarinë e medieve apo lirinë e shprehjes", thuhet në reagim.

Zyrtarët rusë e kanë cilësuar ligjin si "përgjigje simetrike", ndaj asaj që e ata e kanë quajtur trysni amerikane ndaj medies ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj.

Departamenti amerikan i Drejtësisë i kërkoi RT-së të regjistrohet në dritën e gjetjeve të janarit nga agjencitë amerikane të zbulimit se RT dhe agjencia ruse e lajmeve Sputnik, përhapën dezinformata si pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Departamenti i shtetit thekson në reagim se "përpjekja e qeverisë ruse për të arsyetuar ligjin e saj me kërkesat transparente nga 'akti i regjistrimit të agjentëve të huaj të vitit 1938 (FARA), është e pasinqertë dhe e papërshtatshme. FARA nuk kontrollon përmbajtjen e informacionit të shpërndarë, nuk kufizon publikimin e informacioneve dhe nuk kufizon mundësitë e një organizate për të vepruar", përfundon reagimi i Departamentit amerikan të shtetit.

Miratimi i ligjit rus nxiti edhe reagimin e drejtuesve të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë. John Lansing, drejtor i Bordit të Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, që mbikëqyrë këto dy medie, tha se "mediet ruse, përfshirë RT dhe Sputnik, janë të lira të veprojnë në Shtetet e Bashkuara dhe transmetohen nga operatorët televizivë kabllor në Shtetet e Bashkuara si dhe radio stacionet që transmetojnë në valët FM. Megjithatë, Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë janë të ndaluara të transmetohen nga televizionet dhe radiot në Rusi".

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International, tha se ligji do të jetë një "goditje serioze" ndaj lirisë së medias në Rusi, edhe pse zyrtarët rusë kanë thënë se ai nuk do të vlejë për mediet vendase.

Ligjin e kundërshtuan edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian sipas të cilëve ai "është një kërcënim i mëtejshëm për mediet e lira dhe të pavarura, për qasjen në informacion, dhe një përpjekje tjetër për të tkurrur hapësirën për zëra të pavarur në Rusi".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test