Presidenti Trump shkakton konfuzion me komentet për ish-këshilltarin Flynn

Amerika

Presidenti Trump shkakton konfuzion me komentet për ish-këshilltarin Flynn

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 15:49
Trump dhe Flynn

Pasi zoti Flynn pranoi akuzat e FBI-së, mesazhet e reja të Presidentit Donald Trump në Twitter lënë të kuptohet se ai kishte qenë në dijeni se zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në, veprim që dënohet me ligj në Shtetet e Bashkuara. Ky është një ndryshim thelbësor nga mesazhet në të kaluarën të Presidentit Trump për motivet e shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, Presidenti shtoi sot se ai nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së Comey të ndalonte hetimet ndaj zotit Flynn dhe se kjo është një gënjeshtër e zotit Comey.

Presidenti Donald Trump duket se ndryshoi variantin e tij për arsyet se pse shkarkoi Michael Flynn nga posti i këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare. Fillimisht, Presidenti pati thënë se e kishte shkarkuar pasi nuk ishte treguar i sinqertë me Nënpresidentin Michael Pence rreth kontakteve me rusët gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit presidencial.

Dje, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se iu desh ta shkarkonte Gjeneralin Flynn pasi gënjeu Nënpresidentin dhe FBI-në dhe se ai tashmë ka pranuar fajësinë për këto gënjeshtra. Presidenti shton se veprimet e zotit Flynn gjatë periudhës së tranzicionit ishin të ligjshme dhe se nuk kishte gjë për të fshehur.

Ky mesazh i fundit sugjeron se Presidenti e dinte që zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në dhe Nënpresidentin për kontaktet e tij me rusët. Presidenti Trump nuk e ka përmendur më parë FBI-në në prononcimet e tij për zotin Flynn dhe kontaktet me rusët.

Në Shtetet e Bashkuara është e kundraligjshme të gjënjesh FBI-në.

Presidenti shtoi sot në Twitter se nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, që të ndalonte hetimet për zotin Flynn, dhe se këto janë lajme të rreme të bazuara tek gënjeshtra e zotit Comey.

Mesazhet e Presidentit Trump në Twitter kanë krijuar konfuzion për çfarë ai dinte apo nuk dinte për kontaktet e zotit Flynn me rusët.

Ndërkohë u njoftua se Peter Strzok, një agjent veteran i FBI-së që ishte pjesë e ekipit hetimor të prokurorit të posaçëm Mueller, u përjashtua nga ekipi i hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore amerikane. Zoti Strzok pati shkëmbyer në muajin korrik mesazhe anti-Trump dhe pro-Clinton me një tjetër juriste që ishte pjesë e ekipit hetimor. Mësohet se ai pati shërbyer edhe në ekipin që hetoi përdorimin e një serveri privat email-i nga zonja Hillary Clinton, gjatë periudhës që ajo ishte në postin e Sekretares së Shtetit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat