Trump: Trajtimi ndaj zotit Flynn, i padrejtë

Amerika

Trump: Trajtimi ndaj zotit Flynn, i padrejtë

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 19:43
Donald Trump dhe Michael Flynn

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se në asnjë rast nuk i ka kërkuar ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, të ndalte hetimin rreth këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn për kontaktet e këtij të fundit me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Në komentet e bëra në Twitter, Presidenti i quajti akuzat "lajme të tjera të rreme, për të mbuluar një tjetër gënjeshtër".

Prokurori i posaçëm Robert Mueller, po zhvillon hetime për të sqaruar nëse Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse fushata e zotit Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Moskën.

Si pjesë e kësaj, ai po heton gjithashtu për të parë nëse presidenti ka penguar drejtësinë duke i kërkuar ish-drejtorit të FBI-së Comey të ndalë hetimin rreth zotit Flynn dhe pastaj duke e shkarkuar atë.

Zoti Flynn pranoi fajin se kishte gënjyer agjentët e FBI-së rreth bisedave që kishte patur me ish-ambasadorin rus në Uashington Sergej Kislyak në javët para inaugurimit të Presidentit Trump në janar 2016.

Presidenti Trump tha sot në mëngjes se trajtimi që po i bëhet zotit Flynn është i padrejtë. Ai u përpoq të bënte një krahasim me rivalen e tij demokrate në zgjedhje, Hillary Clinton.

“Ajo e gënjeu shumë herë FBI-në dhe asgjë nuk ndodhi. Flynn gënjeu dhe ata i prishën jetën,” tha Presidenti Trump.

Dje Presidenti sulmoi FBI-në pas njoftimeve se një agjent i saj kishte shkruar emaile që favorizonin kandidaten demokrate Hillari Klinton në zgjedhjet presidenciale. Pas zbulimit të emaileve, agjenti i FBI-së u hoq nga hetimi që po zhvillon zoti Mueller.

Demokratët në Kongres thonë se çështjes Flynn i duhet shkuar deri në fund.

"Faktet që dalin nga pranimi i fajësisë nga zoti Flynn tregojnë se ai nuk vepronte si një përfaqësues i papërgjegjshëm, por me dijeninë dhe udhëzimin e njerëzve që ishin anëtarë të lartë të ekipit kalimtar, të cilët në fund u bënë pjesë e administratës. Kjo ka shumë rëndësi dhe më tregon të paktën se ky nuk është fundi i çështjes", thotë kongresmeni demokrat Adam Schiff.

Sipas tij, prokurori i posaçëm Mueller po formulon argumentin se Presidenti Trump ka penguar drejtësinë.

Një koment me burim llogarinë Twitter të Presidentit Trump po tërheq mjaft vemendje. Presidenti shkruante se iu desh ta shkarkonte zotin Flynn pasi ai kishte gënjyer nënpresidentin dhe FBI-në.

Ky koment linte të kuptohej se presidenti ishte në dijeni më 13 shkurt, kur shkarkoi zotin Flynn, se ky kishte gënjyer FBI-në, kur ishte intervistuar nga agjentët e saj. Për shumë analistë, komenti nënkupton se Presidenti ka penguar drejtësinë.

Avokati personal i Presidentit ndërhyri pa vonesë, duke thënë se komenti në Twitter ishte shkruar gabimisht prej tij.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, zoti Flynn ishte një nga njerëzit më të afërt të kandidatit Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat