Raportet: Mueller kërkon të dhëna për Trumpin nga Deutche Bank

Amerika

Raportet: Mueller kërkon të dhëna për Trumpin nga Deutche Bank

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 18:43
Robert Mueller

Sipas raporteve të mediave, këshilltari special amerikan, Robert Mueller, ka kërkuar nga Deutche Bank e Gjermanisë, të dhëna lidhur me xhirollogaritë e presidentit, Donald Trump, dhe familjes së tij.

Agjencia Reuters, duke i cituar njerëzit e afërt me këtë çështje, sot ka raportuar se Mueller i ka bërë kërkesë bankës më të madhe gjermane, para disa javësh, për të dhënë informacione për para të caktuara dhe transakcione kreditore.

Për këtë kërkesë më herët ka raportuar gazeta gjermane, Handelsblatt.

Deutche Bank, që më parë i ka refuzuar kërkesat e ngjashme, duke cituar legjislacionet për privatësi, tha se nuk do të bënte komente për çfarëdo klienti të saj.

Mueller po zhvillon hetime për përpjekjet e dyshuara ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 dhe për ndonjë marrëveshje të fshehtë potenciale ndërmjet fushatës së tij dhe rusëve.

Katër vetë janë akuzuar për vepër penale lidhur me këtë hetim, përfshirë ish-këshilltarin për siguri kombëtare të Trumpit, Michael Flynn, dhe ish-shefin e fushatës Trump, Paul Manafort.

Rusia i ka hedhur poshtë pretendimet për përzierje në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, përkundër faktit se zyrtarë të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara thonë se ka dëshmi të fuqishme për përzierjen ruse.

Presidenti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet se ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë ndërmjeet bashkëpunëtorëve të tij dhe Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat